Nuk është rastësi që Drenasi renditet ndër shembujt më të mirë të vetëqeverisjes lokale. Edhe në procesin e rinumërimit u dëshmua se kur integriteti moral vendoset mbi interesin e ngushtë partiak, demokracia funksionon.
Nga Astrit Gashi
Atje ku respektohet vota, merr formë edhe shteti. Ky model nuk duhet të mbetet një përjashtim por por si një normë e detyrueshme për çdo cep të Republikës.
Përballë këtij shembulli ndriçues, qëndron hija e rëndë e deformimit të vullnetit qytetar në zona të tjera. Abuzimet me votën e diasporës dhe manipulimet me votat e kandidatëve brenda listave partiake nuk janë thjesht shkelje teknike ato janë krime morale dhe politike. Këto veprime godasin besimin publik dhe e shndërrojnë procesin zgjedhor në një farsë.
Kur preket kutia e votimit, nuk dëmtohet vetëm një subjekt politik, por minohen themelet e shtetit. Demokracia nuk vritet vetëm me dhunë të hapur, por edhe me laps, me numra të falsifikuar dhe me heshtje institucionale.
Komisionerët që kanë abuzuar me detyrën nuk janë thjesht zyrtarë të papërgjegjshëm ata janë autorët e krimit më të rëndë që mund t’i bëhet një rendi demokratik: vrasjes së demokracisë nga brenda. Ata nuk kanë tradhtuar vetëm ligjin, por edhe besimin e qytetarëve që ua deleguan vullnetin e tyre. Thjesht, ata nuk kanë kryer vetëm vepër penale, por kanë bërë tradhti të pastër kombëtare.
Çdo votë e manipuluar është një qytetar i përjashtuar nga shteti. Çdo shtet që e toleron këtë akt, pranon në heshtje shkatërrimin e vetëvetes.
Për të rikthyer besimin publik, fjalët nuk mjaftojnë. Nevojiten veprime konkrete dhe të ashpra. Dënimet duhet të jenë proporcionale me dëmin e shkaktuar për çdo vendvotim ku vërtetohet keqpërdorimi i mbi 50 votave, komisionerët përgjegjës duhet të përballen me përgjegjësi penale reale dhe jo me dënime simbolike. Hetimi duhet të shtrihet pa asnjë përjashtim edhe mbi kandidatët të cilëve u janë shtuar votat!
Liria nuk mund të jetë shpërblim për ata që kanë burgosur vullnetin e qytetarëve. Demokracia mbrohet vetëm kur ligji zbatohet pa frikë dhe pa dallim.
Pse ende nuk ka arrestime masive, si në rastin e Prizrenit? Kjo pyetje nuk është politike, por morale dhe kushtetuese. Prokuroria ka detyrim të veprojë urgjentisht ndaj krimeve elektorale. Çdo vonesë e shndërron drejtësinë në spektatore dhe e afron shtetin drejt normalizimit të krimit. Nëse është e nevojshme, duhet të ketë edhe hetim të brendshëm për vetë institucionet e drejtësisë, sepse drejtësia e vonuar është një formë e rafinuar e padrejtësisë.
Por përgjegjësia nuk mbaron te komisionerët në terren. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) duhet të reformohet rrënjësisht dhe pa kompromis. Demokracia nuk mund të administrohet nga struktura të konsumuara moralisht. Një individ që merr pjesë në disa procese zgjedhore radhazi, pa rotacion, pa verifikim të integritetit dhe pa përgjegjësi reale, krijon një potencial të qartë për kriminalizim.
Përvoja e pakontrolluar shndërrohet në rutinë manipulimi; vazhdimësia pa transparencë prodhon abuzim institucional.
Zgjedhjet kërkojnë njerëz të ndershëm, jo “profesionistë” të prapaskenave. Pa një reformim total të KQZ-së, çdo ndryshim tjetër mbetet vetëm kozmetik.
Demokracia nuk është vetëm dita e votimit. Ajo është garancia që çdo votë numërohet drejt, që çdo qytetar respektohet dhe që askush nuk qëndron mbi ligjin. Kushdo që ka prekur votën, ka minuar drejtpërdrejt shtetin e Kosovës.
Kosova meriton procese të ndershme. Ata që guxuan të tjetërsojnë vullnetin e popullit duhet të përballen me forcën e ligjit jo për hakmarrje, por për të shpëtuar demokracinë dhe shtetin tonë, të ndërtuar me sakrificën më sublime që mund të bëjë një komb!

