Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka arsyetuar përzgjedhjen e dy gjyqtareve të saj për anëtare të Këshillit Gjyqësor, duke theksuar se kriteri kryesor ka qenë biografia dhe integriteti profesional.
Në një intervistë për televizionin Sitel, ajo ka deklaruar se gjyqtarja Suzana Joshevska-Atanasova është juriste e mirë dhe ka vepruar në mënyrë etike, duke përmendur faktin se ajo ka mbrojtur pro bono (falas) disa nga personat e dënuar për sulmin e dhunshëm ndaj Kuvendit të RMV-së më 27 prill 2017.
“Për mua e rëndësishme ka qenë biografia. Nuk e njoh personalisht gjyqtaren, por një jurist i mirë vepron edhe në mënyrë etike”, ka deklaruar presidentja, duke shtuar se sipas saj, të përfshirët në ngjarjet e 27 prillit janë dënuar padrejtësisht, si në kohëzgjatje ashtu edhe në kualifikimin e veprës penale.
Siljanovska-Davkova ka theksuar se kjo ngjarje ka qenë veçanërisht traumatike për të, duke përmendur se gjatë mandatit të saj kanë vdekur tre persona të dënuar me, siç i quajti ajo, “dënime drakonike”.
“Një nga kandidatet e mia, me të drejtë, para Gjykatës Kushtetuese, por edhe përmes Kongresit Botëror Maqedonas, ka ngritur procedurë për diskriminim – si në kualifikimin e veprës, ashtu edhe gjatë procesit gjyqësor dhe në gjatësinë e dënimeve”, ka thënë presidentja.
Sulmi ndaj Kuvendit më 27 prill 2017 ndodhi pasi shumica parlamentare zgjodhi Talat Xhaferin kryetar të Kuvendit. Protestuesit e iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët”, e udhëhequr nga persona të ekspozuar të VMRO-DPMNE-së, hynë me dhunë në Kuvend, duke rrahur deputetë dhe gazetarë. Ngjarja lidhej edhe me proceset politike që pasuan Marrëveshjen e Prespës dhe ndryshimet kushtetuese për ndryshimin e emrit të shtetit.
Nga dhuna u lënduan mbi 100 persona, mes tyre deputetë dhe gazetarë. Ndër më të lënduarit ishin deputeti Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët, ish-kryeministri Zoran Zaev, ish-ministri Oliver Spasovski dhe deputetë të tjerë të LSDM-së.
Pas ngjarjes, Prokuroria dhe gjykatat hapën disa lëndë për vepra të rënda penale, përfshirë tentim vrasjeje ndaj Ziadin Selës, terrorizëm, prishje të rendit kushtetues, sulm fizik dhe rrezikim të jetës. Dhjetëra persona u dënuan me burg, disa raste mbetën pa epilog, ndërsa një pjesë e të përfshirëve u liruan përmes një amnistie.
Amnistia u arsyetua si akt “pajtimi” nga ish-kryeministri Zoran Zaev dhe u miratua në Kuvend pikërisht në kohën kur votoheshin ndryshimet kushtetuese. Mes të amnistuarve ishin edhe deputetë që hapën dyert e Kuvendit gjatë sulmit.
Në atë kohë, lideri i opozitës Hristijan Mickoski, aktualisht kryeministër, kishte deklaruar se të dënuarit duhet të lirohen, duke e cilësuar veprimin e tyre si mbrojtje të Kushtetutës.
Ngjarja e 27 prillit vazhdon të mbetet një nga episodet më të errëta të historisë politike të vendit dhe kujtohet edhe sot nga gazetarë, kameramanë dhe punonjës mediatikë që përjetuan dhunë, kërcënime dhe trauma brenda institucionit më të lartë ligjvënës.

