Nga Astrit Gashi
Dështimi elektoral i PDK-së nuk duhet lexuar thjesht si një rënie votave në kutitë e votimit, por si një akt i vetëdijshëm dhe i merituar ndëshkimi ndaj një hipokrizie politike që rëndon mbi aspiratat e çdo gruaje shqiptare në këtë vend. Gruja është ajo që mbrojti dinjitetin tonë,dje, sot dhe nesër!
Nuk mund të dalësh me komunikata për të predikuar barazinë “50 me 50” me një retorikë feministe në buzë, ndërkohë që në korridoret e mbyllura të partisë gatuhen skema nepotiste që asfiksojnë çdo celulë të meritokracisë.
Rezultati turpërues prej vetëm katër grave deputete të zgjedhura me votë direkte, nga një listë prej 120 kandidatësh, është dëshmia më e prekshme se barazia gjinore për këtë subjekt ishte thjesht një produkt marketingu. Pushteti real mbeti i blinduar brenda një “klubi burrash” dhe rretheve të ngushta klanore, të cilët partinë e trajtojnë si pronë private dhe mjet për ruajtjen e privilegjeve të vjetra duke përdorur disa gra si dekor pa anje ndikim në masë!
PDK nuk vuan thjesht nga nepotizmi i rëndomtë; ajo është e mbërthyer nga një patriarkalizëm klanor që e bën të pamundur avancimin e gruas jashtë rrethit të ngushtë të interesave. Ky model i vendimmarrjes, i izoluar brenda “odave” politike të kryesisë, ka krijuar një tavan prej xhami të pakalueshëm për gratë me integritet dhe dije. Ato kanë vetëm një rrugë të nenshtrohen ose te ikin ne mergatë!
Në këtë mjedis toksik, figura e gruas shqiptare është instrumentalizuar vetëm si mburojë estetike për të pastruar imazhin e një elite që refuzon kategorikisht të hapë rrugën e reformimit.
Ky është, në thelb, një patriarkalizëm i kamufluar me terminologji moderne. Mirëpo, elektorati dhe veçanërisht gratë e lexuan qartë këtë mashtrim së një parti që nuk është e aftë të gjenerojë barazi brenda shtëpisë së vet, nuk mund të jetë kurrë garante e drejtësisë për një shoqëri të tërë.
Prandaj, sot nuk ka më vend për “rregullime të vogla” apo reforma kozmetike që riciklojnë të njëjtat fytyra dhe të njëjtat hierarki të kalbura. PDK ka nevojë për një dekonstruksion total dhe radikal. Ky proces duhet të kulmojë me largimin e menjëhershëm të lidershipit aktual, duke përfshirë kryetarin, kryesinë dhe, në veçanti, ato gra brenda strukturave që dështuan të bëhen zëri i emancipimit, duke u shndërruar në bashkëfajëtore të këtij margjinalizimi.
Pa një shkëputje të dhimbshme nga kultura e “kapjes” dhe pa një kërkimfalje të sinqertë ndaj gruas shqiptare, PDK rrezikon të mbetet një relikt i izoluar i së kaluarës. Një subjekt që e trajton gruan vetëm si mjet për vota, e ka humbur legjitimitetin moral për të projektuar të ardhmen.
Për aq kohë sa “virusi” i vjetër mbetet në krye të partisë, ky subjekt nuk i shërben më interesit publik, por vetëm mbijetesës së një elite të konsumuar. Ky nuk është thjesht një dështim është një fund i merituar.
Kur besohet të gruja fitorja është e sigurtë! Me gra fito Kurti në Prishtinë! Lladroci në Drenas dhe Mexhiti në Çair! Gratë bejnë revulucion!

