18 Janar 2026 01:10

Kërkohen hetime për hyrjen e bankës serbe Alta në Maqedoni, pas përmendjes së lidhjeve

Ekipi Antikorrupsion i LSDM-së ka shpalosur akuza të reja dhe të rënda lidhur me hyrjen e grupit serb ALTA në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut. Këtë herë, theksi është vënë mbi emra konkretë dhe lidhje të dyshuara me struktura të afërta me VMRO-DPMNE-në, duke implikuar një infiltratrim politik brenda sektorit financiar. Partia opozitare ngre shqetësime serioze për integritetin e sistemit bankar dhe transparencën e kapitalit.

Sipas LSDM-së, në pozitat kyçe menaxheriale dhe në bordet mbikëqyrëse të bankës janë emëruar persona me lidhje të thella politike dhe afariste me qarqet vendase. Në konferencën për shtyp, u specifikuan emra si Lidiya Nedelkova në ekipin menaxherial, Stevço Jolakoski në bordin mbikëqyrës, si dhe Marjan Zakev, i cili lidhet me struktura biznesi të mëparshme, tashmë objekt i debatit publik. Gjithashtu, prania e Majan Kadievska-Vojnoviq si anëtare e bordit drejtues u paraqit nga LSDM-ja si një “rreze X” që zbulon mënyrën se si një institucion financiar lidhet me rrjetet politike, ndaj u kërkua me ngulm nga institucionet kompetente të nisin një hetim të thelluar mbi marrjen e bankës dhe origjinën e kapitalit.

Këto akuza vijnë në një periudhë kur procesi i akvizicionit të bankës tashmë është formalizuar plotësisht. Banka Industriale a.d. Bitola ka adoptuar zyrtarisht emrin ALTA Banka AD Bitola më 12 dhjetor 2025, ndërkohë që raportet publike konfirmojnë finalizimin e akvizicionit në tetor 2025, me një shumicë dominuese të kapitalit tek pronari i ri dhe entitetet e lidhura. Edhe në atë periudhë, LSDM-ja kishte shprehur prej kohësh dyshime serioze për pastrim parash dhe i kishte drejtuar pyetje specifike Bankës Popullore, duke iu referuar masave evropiane të ndërmarra ndaj kompanive të lidhura me kontekstin e Addiko Bank dhe raportimeve mediatike mbi kontrolle dhe rreziqe.

Nga ana tjetër, ALTA Banka AD Bitola reagoi menjëherë, duke i cilësuar akuzat e LSDM-së si të pavërteta dhe manipuluese. Përmes një deklarate zyrtare, banka kërkoi një kërkimfalje publike dhe paralajmëroi ndërmarrjen e hapave ligjorë kundër atyre që shpërndajnë informacione të rreme. Sipas bankës, akvizicioni është realizuar me të gjitha aprovimet rregullatore të nevojshme, dhe këto pretendime, dëmtojnë rëndë reputacionin e institucionit dhe minojnë besimin e publikut në sistemin financiar.

Debati politik, megjithatë, nuk kufizohet vetëm në deklaratat institucionale. LSDM-ja i drejton pyetje të drejtpërdrejta edhe kryeministrit Hristijan Mickoski, duke kërkuar të sqarojë nëse ka llogari personale në bankë dhe nëse zyrtarë të lartë apo bashkëpunëtorë të afërt të tij kanë investuar kapital në struktura financiare në Serbi të lidhura me rrethin e afërt të SNS-së. Kështu, çështja zhvendoset në një terren më të ndjeshëm: atë të besimit në mekanizmat kontrollues, transparencën e pronësisë dhe ndarjen thelbësore mes sferës politike dhe asaj bankare.