21 Janar 2026 13:09

UÇK-ja nuk mbrohet në Shkup, Strasburg apo Tiranë, por në Prishtinë para Parlamentit!

Nga Astrit Gashi

Organizatat e dala nga lufta kanë një rol historik të pazëvendësueshëm. Ato duhet të jenë kujtesa morale e një kombi, zëri i sakrificës dhe mbrojtja e dinjitetit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Por në këto dy dekada, ky rol është zbehur, deformuar dhe shpesh është vënë në shërbim të kalkulimeve të ditës herë të partive politike, herë të liderëve të konsumuar, herë të interesave që nuk kanë asgjë të përbashkët me idealet për të cilat u luftua që të jemi një zë dhe një komb. Në këto rrethana, protesta e paralajmëruar në Shkup është shembulli më i qartë i një hutimi strategjik dhe i një krize identiteti.

UÇK-ja nuk mbrohet në Shkup. As në Tiranë. As në Strasburg. UÇK-ja mbrohet në Prishtinë aty ku filloi lufta, aty ku u derdh gjaku, aty ku është zemra politike e vendimmarrjes dhe aty ku duhet të jetë edhe zemra e protestës, duke kërkuar një amendamentim të ligjit. Por në mungesë të një Kuvendi funksional, disa njerëz, në vend që të punojnë fort, organizojnë protesta të pakordinuara me aleatët tanë strategjikë, me të cilët e fituam luftën tonë të lavdishme.

Nuk ka asnjë logjikë që një kauzë që e ka origjinën, moralin dhe përgjegjësinë në Kosovë të zhvendoset nëpër kryeqytete të tjera. Nuk ka logjikë politike, nuk ka logjikë diplomatike dhe mbi të gjitha nuk ka logjikë morale. Sikurse nuk ka logjikë që një gjykatë “ E Kosovës” të jetë në Hagë.

Në Shkup, protesta shndërrohet menjëherë në instrument të partive të Maqedonisë së Veriut, ku secila palë kërkon të përfitojë për vete. Ndërsa këtu, me vite të tëra, nuk është bërë asnjë veprim serioz për të mbrojtur dinjitetin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Të gjithë i kanë përdorur ushtarët për propagandë, ndërsa nuk kanë lëvizur asnjë gur për të mbrojtur dinjitetin e tyre. Në Tiranë, ajo humbet thelbin dhe perceptohet si zgjatim i krizave të politikës kosovare. Tirana dhe qeveria shqiptare duhej ta nisnin debatin në Strasburg, në Parlamentin e Europës, duke demaskuar sponsorizuesit e tij. Ashtu si u premtu nga Edi Rama para disa viteve në një fjalim në Strasborg në Parlametin e Europes. Por si duket mbeti veç fjalim pa asnjë veprim.

Në Strasburg, është dashur që përmes përfaqësuesve tanë miqve tonë në Parlamentin Europian të nisim procedura parlamentare, e jo të bëjmë protestë me një turmë të shpërndarë në ditë vikendi. Prandaj, asnjëra prej këtyre skenave nuk është arena ku bëhet lufta për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së. Dhe asnjëra nuk është rruga e drejtë. Rruga e drejtë është protesta e përditshme në Prishtinë. Unë do të jem aty çdo ditë, por asnjëherë nuk do t’i bëj dëm kauzës sonë çlirimtare për interesa të asnjë grupimi politik. Sepse protestat e shpërndara dhe të pakordinuara i bëjnë më shumë dëm se dobi.

Po, nëse jeni veteran të vertetë, ejani dhe filloni një protestë të përditshme në Prishtinë. Në sheshin “Skënderbeu”, para qeverisë, para parlamentit, para institucioneve që kanë përgjegjësinë historike të mbrojnë vlerat më sublime të kombit. Protesta duhet të jetë zëri i pandërprerë i organizatave të luftës, shoqërisë civile, të rinjve, partive politike dhe qytetarëve të zakonshëm të Kosovës. Sepse drejtësia ndërkombëtare nuk ndikohet nga manifestime të rastësishme, por nga presioni i pandërprerë moral i atyre që kanë të drejtë. Por sot, të gjitha shtresat që duhet të jenë në ballë të kësaj beteje janë në krizë identiteti:

Organizatat e luftës janë të ndara, pa vizion, pa strategji dhe shpesh të kapura në lojërat e partive.

Shoqëria civile, që nga paslufta, ka qenë argat i çdokujt; kurrë nuk ka treguar peshë në çështjet kombëtare.

Partitë politike janë të përqendruara në luftën e brendshme për pushtet, jo në drejtësinë ndërkombëtare.

Ata bëjnë gara kush është më “lider”, ndërsa vendi është lënë pa qeveri prej një viti. Kështu nuk mbrohet lufta. Kështu nuk mbrohet e vërteta. Kështu u shërbehet atyre që nuk e duan Kosovën. Organizatat që dolën nga lufta nuk guxojnë të ndikohen nga asnjë parti. Nga asnjë lider. Nga asnjë krizë politike. Sepse ato nuk janë pronë e askujt ato janë amaneti i gjeneratës që dha gjakun për lirinë e Kosovës.

Sepse vetëm aty ku ka pavarësi, ka forcë. Ndërsa aty ku ka instrumentalizim, ka dështim. UÇK-ja nuk mbrohet me improvizime dhe ftesa spontane. UÇK-ja mbrohet me organizim të hekurt, me vizion të qartë dhe me bashkim moral të popullit.

Protesta duhet të kthehet në Prishtinë. Pikë.

Dhe të udhëhiqet nga njerëzit më të devotshëm të kombit. Vetëm aty protesta ka kuptim. Vetëm aty protesta ka peshë. Vetëm aty protesta është e vërtetë.

Shkupi nuk është zgjidhja. Tirana nuk është zgjidhja. Strasburgu nuk është zgjidhja. Zgjidhja është Prishtina. Dhe zgjidhja është çdo ditë. Sepse drejtësia për UÇK-në nuk është çështje gjeografie është çështje identiteti.