16 Mars 2026 20:25

Plani i ri për Kalanë e Shkupit: zbulohen detajet e ndërtimeve

Rrethinat e Kalasë së Shkupit drejt rikonceptimit thelbësor urbanistik, ndryshojnë prioritetet zhvillimore.

Në vend të valëve të mëparshme të zhvillimeve komerciale në zemër të qytetit, planet e reja detajore urbanistike, të miratuara nga Këshilli i Komunës Qendër, parashikojnë krijimin e parqeve, objekteve sportive, shtigjeve këmbësore dhe atyre për çiklistë. Zonat ku më parë ishin planifikuar hotele, tani hapen për përdorim publik, duke sinjalizuar Planet e miratuara përfshijnë zona kyçe si “Kalaja dhe QRS Kala” si dhe “Varrezat franceze, Tetovska trosharina dhe Park 2”. Komuna ka theksuar se këto plane harmonizohen plotësisht me Planin e Përgjithshëm Urbanistik të Shkupit, ndërsa për hapësirën rreth Kalasë, për herë të parë, miratohet një dokumentacion urbanistik kaq i hollësishëm. Ky dokument ka për qëllim rregullimin e qasjes, lëvizjes dhe destinacionit të tokës në këtë rajon historik dhe të ndjeshëm, duke garantuar një zhvillim të balancuar dhe të qëndrueshëm.

Ndryshimi më i dukshëm qëndron në vendosjen e interesit publik mbi ndërtimin agresiv. Në Lajen e Qytetit CS 01, është paraparë një objekt sportiv në tokërore afër lumit Vardar, me një sipërfaqe prej 9,295 metra katrorë, ndërsa në pozicione të tjera planifikohen gjelbërim me parqe, përmbajtje publike dhe parkingje. Nën Kalanë, në tokë private, ende mbetet mundësia për hotele, por me kate më të ulëta, deri në P+3, çka është një sinjal i qartë se heqet dorë nga ndërhyrjet masive të planifikuara më parë.

Përveç kësaj, plani parashikon ndërtimin e shtigjeve të reja për çiklistë në rrugët “Samoillova” dhe “Llazar Liçenoski”, me lidhje drejt shtegut afër Vardarit, si dhe trotuare më të gjera dhe mbjellje pemësh të reja. Këto ndërhyrje nuk janë vetëm detaje teknike, por pasqyrojnë vizionin për një qytet ku lëvizja nuk kufizohet vetëm në automjete, por favorizon ecjen në këmbë, biçikletat dhe nxit qëndrime më të gjata. Gjithashtu, është përfshirë mundësia për ekspozita në të hapur, duke e trajtuar Kalanë jo vetëm si një lokacion atraktiv ndërtimi, por si një pikë kulturore dhe historike që duhet të komunikojë me qytetin, duke theksuar karakterin publik dhe simbolik të saj. Sugjerimet nga profesionistë të Muzeut të Arteve Bashkëkohore janë marrë parasysh, duke i dhënë peshë shtesë kësaj qasjeje.

Esenca e këtij Plani Detajor Urbanistik nuk qëndron vetëm në atë çfarë do të ndërtohet, por edhe në atë çfarë nuk do të ndërtohet si më parë. Në një qytet i cili prej vitesh ka parë ngushtimin e hapësirave publike para interesit privat, çdo zhvendosje nga komplekset hoteliere drejt parqeve, sallave dhe hapësirave të hapura do të lexohet në mënyrë të pashmangshme si një mesazh i fuqishëm urbanistik dhe politik. Pyetja tani nuk është nëse plani tingëllon mirë në letër, por nëse do të materializohet i tillë edhe në terren.

Këto zhvillime vijnë në një kohë kur janë siguruar 8 milionë denarë (rreth 130,000 euro) nga ribalanci i buxhetit për rindërtimin e dy muzeve të Kalasë së Shkupit dhe sanimin e saj, me qëllim që të bëhet një atraksion turistik i rëndësishëm. Është e rëndësishme të kujtohet se punimet e mëparshme në Kalanë e Shkupit shkaktuan probleme ndëretnike në dekadën e kaluar, kur partia në pushtet VMRO DPMNE inicioi ndërtimin e tre objekteve, të cilat u kontestuan nga shqiptarët si objekte monoetnike dhe monofetare. Kjo situatë çoi në protesta dhe tensione, duke bërë që Kalaja, si hapësirë historike dhe turistike, të mbetej e mbyllur për vite me radhë. Qasja e tanishme duket se reflekton një përpjekje për të shmangur gabimet e së kaluarës dhe për të promovuar një zhvillim më gjithëpërfshirës dhe të pranueshëm për të gjitha komunitetet.