1 Mars 2026 17:12

Ollomani reagon ndaj takimit mes Bilall Kasami dhe Milaim Ziberit: Mërgata nuk është dekor për fotografi

Kryetari i Degës së Lëvizja BESA në Austri, Dashmir Ollomani, ka reaguar publikisht ndaj takimit formal të zhvilluar ndërmjet Bilall Kasamit dhe Milaim Ziberit, duke e cilësuar atë si një përpjekje për krijim perceptimi publik përmes fotografive dhe postimeve të vonuara.

Në reagimin e tij, Ollomani thekson se strukturat e organizuara të degës në diasporë kanë funksionuar dhe kontribuar në tre cikle zgjedhore me rezultate konkrete dhe të matshme, por sipas tij, pas përfundimit të proceseve zgjedhore ato janë lënë jashtë vëmendjes dhe vendimmarrjes.

Ai shprehet se nuk ka pasur asnjë konsultim me strukturat e diasporës lidhur me emërimet e ambasadorëve, konsujve apo administratorëve, si dhe për konkurset e punësimit, duke shtuar se aktivistët që kanë kontribuar në terren nuk janë përfshirë në proceset vendimmarrëse.

“Na përdorët për vota, por nuk na përfillët në momentet kyçe të përfaqësimit institucional,” thuhet në reagim, ku shtrohen edhe disa pyetje publike lidhur me mungesën e konsultimit të degës së diasporës në vendimet e fundit kadrovike.

Sipas Ollomanit, strukturat që kanë vepruar si Degë e Lëvizjes BESA në diasporë janë anashkaluar, ndërsa tani, siç thekson ai, kërkohet legjitimitet përmes shoqatave që nuk kanë pasur rol aktiv në proceset zgjedhore.

Në fund të reagimit, ai thekson se respekti ndaj mërgatës nuk ndërtohet përmes takimeve protokollare dhe fotosesioneve, por përmes konsultimit, përfshirjes dhe vlerësimit real të kontributit të saj, duke paralajmëruar se kjo qasje do të reflektohet në zgjedhjet e ardhshme.