Nën udhëheqjen Fatmir Limanit , Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë gjatë një viti e gjysmë është shënuar përparim i jashtëzakonshëm në zbatimin e Projektit të Administrimit të Sigurimit Social, një projekt me rëndësi strategjike për vendin, me vlerë 13.8 milionë euro, i mbështetur nga Banka Botërore.
Ministri Limani theksoi se për pesë vitet para marrjes së mandatit të tij ishin realizuar vetëm 9.9 për qind e mjeteve të projektit, ndërsa sot, falë angazhimit intensiv dhe menaxhimit të përgjegjshëm të ekipit të Ministrisë, niveli i realizimit ka arritur në 41.9 për qind. Kjo përfaqëson një rritje mbi katërfish brenda vetëm 18 muajve, duke dëshmuar qartë ndryshimin në qasje dhe efikasitet.
Progresi i arritur është i dukshëm dhe konfirmon drejtimin e duhur të reformave të nisura nga ministri Fatmir Limani. Projekti përfshin reforma të thella strukturore, që do të sjellin ndryshime të rëndësishme në sistemet e evidentimit të sigurimit social, në vlerësimin e aftësisë ndryshe, në rritjen e punësimit të personave me aftësi ndryshe, si dhe në rregullimin e profesioneve të rrezikshme me stazh të beneficuar.
Për të finalizuar aktivitetet e nisura dhe për të siguruar zbatim të qëndrueshëm e funksional, ministri Limani theksoi nevojën reale për zgjatjen e afatit të projektit, si një hap i domosdoshëm për mbrojtjen e mjeteve të investuara dhe konsolidimin e rezultateve të reformës.
Me politika të përgjegjshme, bashkëpunim të ngushtë me Bankën Botërore dhe mbështetje të partnerëve ndërkombëtarë, ministri Fatmir Limani dhe ekipi i tij janë të përkushtuar që këto reforma t’i çojnë deri në fund, në interes të qytetarëve dhe forcimit afatgjatë të sistemit të sigurimit social.

