Prof. André Prevost nga Instituti Paul Scherer (PSI) në Zvicër ka theksuar se ndotja nga grimcat në Ballkan, veçanërisht gjatë dimrit, arrin nivele alarmante, shpesh duke e tejkaluar edhe atë të Pekinit dhe duke u renditur ndër më të lartat globalisht në ditë të caktuara.
Ai shtoi se dioksidi i squfurit në periudhën dimërore mund të jetë mbi 30 herë më i lartë se nivelet tipike të vërejtura në Evropën Perëndimore. Për të kuptuar thellësisht shtrirjen e ndotjes së ajrit në një qytet, ekipi i PSI-së ndërmori një qasje inovative. Ata pajisën një furgon të modifikuar me sensorë ajri të teknologjisë së fundit dhe kryen matje të vazhdueshme nëpër Sarajevë gjatë dimrit, duke përfunduar deri në gjashtë ture 90-minutëshe çdo ditë.
Gjatë këtij studimi intensiv, Michael Bauer nga PSI përshkroi sfidat operative, duke përfshirë lëvizjen e vështirë në trafikun urban dhe rrugët e ngushta malore. Ai kujtoi mbrëmje veçanërisht të mjegullta në pjesën perëndimore të qytetit, ku aroma e tymit të drurit dhe qymyrit ishte e theksuar në zonat rezidenciale, ndërsa në qendër të qytetit dominonte era e qebapëve. Analiza e grimcave të ndotjes zbuloi se ato tejkalonin udhëzimet ditore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në 66% të rasteve, shpesh me nivele më shumë se tetë herë më të larta. Këto gjetje theksuan se zonat më të ndotura ishin ato rezidenciale, ku ndotja dominohej nga ngrohja e shtëpive përmes djegies së drurit, qymyrit dhe mbeturinave, duke përfshirë edhe sasi të larta të hidrokarbureve aromatike policiklike kancerogjene.
Problemet e cilësisë së ajrit në Sarajevë janë përkeqësuar gjithashtu nga flota e vjetër e automjeteve, ku mosha mesatare e një automjeti arrin 19 vjet, dhe 10% e tyre nuk përputhen me standardet moderne evropiane të emetimeve. Në kontrast, mosha mesatare e një makine në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2024 ishte 10 vjet. Për t’u përballur me këtë situatë, një studim i vitit 2023 nga Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara (UNDP) rekomandoi masa si izolimi i shtëpive, ngrohja qendrore dhe pompat e nxehtësisë, si dhe kontrolle të kaldajave dhe rritje të ndërgjegjësimit publik. Ky studim identifikoi nëntë zona prioritare në qytet për ndërhyrje. Michael Bauer konfirmoi urgjencën e këtyre planeve, duke theksuar se planet ekzistuese për të reduktuar ngrohjen me lëndë djegëse të ngurta në ato zona me 90% deri në vitin 2033 janë thelbësore. Megjithatë, ai shtoi se edhe pas kësaj, burimet e tjera të ndotjes do të mbeten të rëndësishme dhe nuk duhet të neglizhohen.
Ndërsa Evropa ka ndërmarrë prej kohësh hapa drejt një tranzicioni të gjelbër, me objektiva ambicioze për neutralitetin e karbonit deri në vitin 2050, rajone të tilla si Maqedonia e Veriut vazhdojnë të përballen me sfida thelbësore, si matja e saktë e ndotjes dhe kontrolli i emetimeve industriale. Çdo dimër, qytetarët në këtë vend dëshmojnë vizualisht cilësinë e ajrit që thithin, një dëshmi e qartë e problematikës. Ndonëse vendi ka miratuar strategji të ndryshme në letër, përfshirë ato për energjinë, ndryshimet klimatike, menaxhimin e mbeturinave dhe ekonominë rrethore, implementimi praktik mbetet i ngadaltë. Shumë zona industriale operojnë me teknologji të vjetëruara dhe investimet në burimet e rinovueshme nuk po ecën me ritmin e duhur për të përmbushur standardet evropiane.
Kjo situatë alarmante ka pasoja tragjike për shëndetin publik, pasi vlerësohet se rreth 3,500 persona humbin jetën para kohe çdo vit në Maqedoninë e Veriut për shkak të ndotjes me grimca.

