Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka reaguar ashpër pas miratimit të ligjit për “Safe City”, duke e cilësuar atë si një manovër politike të dakorduar mes VMRO-DPMNE-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), në prag të zgjedhjeve.
Nga LSDM theksojnë se shumica qeverisëse e ka miratuar ligjin pa vendosur mekanizma të qartë kontrolli dhe mbikëqyrjeje për sistemin e regjistrimit, i cili, sipas tyre, do të përfshijë rreth 65 mijë kamera në mbarë vendin.
“Krahas të gjithë mekanizmave të presionit ndaj mediave, mosmiratimit të ligjeve të harmonizuara me Bashkimin Evropian dhe emërimeve të gjyqtarëve e prokurorëve të afërt me pushtetin, koalicioni VMRO-ZNAM e miratoi ligjin për ‘Safe City’ pa asnjë kontroll mbi incizimin dhe ndjekjen e qytetarëve”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Sipas partisë opozitare, pushteti ka refuzuar të pranojë rregulla të qarta dhe të rrepta për funksionimin e sistemit, përfshirë edhe ndryshimet e nevojshme në Kodin Penal, çka – sipas tyre – krijon hapësirë për abuzime serioze.
Nga LSDM rikujtojnë se projekti “Safe City” ka nisur gjatë qeverisjes së tyre dhe se ai ka rëndësi për rritjen e sigurisë në komunikacion, por theksojnë se mënyra se si tani është miratuar Ligji për kundërvajtje e deformon qëllimin fillestar të projektit.
“Kjo nënkupton që Ministria e Punëve të Brendshme të shndërrohet në instrument partiak për ndjekje, presion dhe shantazh ndaj qytetarëve, pa asnjë mekanizëm mbrojtës”, theksojnë nga LSDM.
Partia opozitare vlerëson se bëhet fjalë për një marrëveshje të heshtur politike mes BDI-së dhe VMRO-së.
“Kjo është loja e BDI-së dhe VMRO-së, të cilat ishin bashkë në takimin e liderëve dhe gjatë gjithë kohës koordinohen mes vete. U mbetet vetëm ta heqin qeverinë teknike dhe janë gati për zgjedhje”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

