Sot, në tokën e Likovës Legjendare, ulet flamuri i dhimbjes për t’i dhënë lamtumirën e fundit një gruaje që emrin e saj e shkroi me sakrificë në themelet e lirisë sonë.
Nëna Xhantape Duraku nuk po përcillet thjesht si një familjare e dashur, por si një heroinë e heshtur që i doli zot atdheut në ditët e tij më të vështira. Shtëpia që u bë kështjellë e UÇK-së Në kujtesën e bashkëluftëtarëve të djalit të saj, Sadulla Durakut, dhe të gjithë ushtarëve të lirisë, Nëna Xhantape do të mbetet portreti i nënës shqiptare që nuk u tremb kurrë. Kur rreziqet ishin të mëdha, ajo i hapi dyert e shtëpisë dhe të zemrës, duke u bërë mburojë morale dhe strehë e ngrohtë për djemtë e UÇK-së.
Një lamtumirë nën petkun e nderit Sot, 21 janar, Likova nuk po ndan vetëm një bashkëqytetare, por po nderon një simbol të qëndresës.
Me rastin e kësaj humbjeje të madhe, ish- komandati dhe ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së, Ali Ahmeti, shprehu ngushëllimet e tij, duke vlerësuar figurën dhe kontributin e saj:
“Me dhimbje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të nënës Xhantape Duraku, nënës së shokut tim dhe bashkëveprimtarit Sadulla Duraku. Ajo ishte një nënë që i hapi portat e shtëpisë së saj për ushtarët e lirisë, duke i pritur me këshilla, me bukë e me ujë, në ditë të vështira për vendin dhe popullin tonë. Një grua e urtë, e mençur dhe një nënë autentike shqiptare, që me sakrificën dhe qëndrimin e saj la gjurmë të pashlyeshme. Në këto momente të rënda, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Sadullait, familjes Duraku dhe gjithë të afërmve. Qoftë i përjetshëm kujtimi për nënën Xhantape Duraku. Zoti e mëshiroftë dhe e shpërbleftë me paqe të përjetshme.”
Varrimi i Nënës Xhantape bëhet sot pas namazit të ikindisë. Miq, bashkëluftëtarë dhe qytetarë nga të gjitha trojet pritet të mblidhen për t’i dhënë nderimet e fundit kësaj gruaje të madhe, e cila tashmë radhitet pranë grave që sakrifikuan për një Shqypni natyrale.

