Presidentja Gordana Siljanovska Davkova ka vlerësuar pozitivisht takimet direkte mes liderëve politikë, duke theksuar se ato janë më të dobishme sesa komunikimi përmes ndërmjetësve.
Sipas saj, takimi i fundit i liderëve ka krijuar një klimë më të qetë dhe konstruktive.
Ajo deklaroi se pas këtij takimi, të gjithë pjesëmarrësit ishin më të relaksuar dhe të bindur se hapi i radhës do të jetë edhe më i mirë, megjithatë shtoi se në tryezë do të duhej të ishte edhe lideri i LSDM-së opozitare, Venko Filipçe.
E pyetur për qëndrimin e saj lidhur me shfuqizimin e Qeverisë teknike, ajo u shpreh se “kemi një qeveri zgjedhore tepër partiake, e përbërë nga njerëzit më besnikë të partive, e cila, edhe pse funksionon, nuk ka bazë kushtetuese”.
“Po, ekzistojnë qeveri teknike. Ato formohen ose në kushte krizash, ose para zgjedhjeve, zakonisht janë qeveri eksperte, të përbëra nga profesorë, ku në krye të qeverisë është një ekspert ose burokrat. Qeveria jonë quhet teknike, por nuk ka asgjë teknike në të. Termi ‘teknik’ gjithmonë lidhet me profesionalizëm dhe kompetencë, kurrë me përkatësi partiake.
Ne kemi një qeveri zgjedhore tepër partiake. Duhet ta them se, pavarësisht se funksionon, ajo nuk ka bazë kushtetuese. Në Kushtetutë, në pjesën që ka të bëjë me qeverinë, nuk do të gjeni askund se ekziston një qeveri kalimtare apo teknike. Kur thashë ‘tepër partiake’, e kisha fjalën për strukturën zakonisht brenda saj ulen njerëzit më besnikë të partive, gjë që e bën interesante për studim dhe për kritikë”, tha ajo.

