16 Janar 2026 23:19

Kurti dhe Bislimi informojnë trupin diplomatik për zbatimin e ligjeve të reja dhe integrimin gradual të sistemeve

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, kanë zhvilluar sot një takim me ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Kosovë.

Në kuadër të komunikimit të rregullt me trupin diplomatik dhe zhvillimeve të fundit në vend, Kurti dhe Bislimi i informuan të pranishmit për fazat e zbatimit të Ligjit për të Huaj dhe Ligjit për Automjete, të cilat janë të harmonizuara me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Ata theksuan se institucionet e Kosovës do të ndërmarrin veprime afirmative për zbatimin e plotë dhe të barabartë të këtyre ligjeve.

Sipas komunikatës së Qeverisë, faza e parë e zbatimit ka nisur sot dhe parasheh një periudhë informuese. Vizitorët që hyjnë në pikat kufitare do të pajisen me materiale informuese mbi të drejtat, detyrimet dhe procedurat ligjore, ndërsa paralelisht do të organizohen sesione informuese me qytetarë, fushata mediatike dhe do të funksionalizohen linja telefonike për informim. Kjo fazë do të zgjasë deri më 15 mars 2026, kur pritet të nisë zbatimi i plotë i dy ligjeve, me synim lehtësimin e qëndrimit të shtetasve jorezidentë në Kosovë.

Gjatë takimit, Kurti i njoftoi ambasadorët edhe për nevojën e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate. Ai theksoi se ky proces do të zhvillohet në koordinim të ngushtë me Bashkimin Evropian, duke marrë parasysh edhe brengat dhe rekomandimet e komunitetit joshumicë serb në Kosovë.

Në përmbyllje, Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sundimin e ligjit, zbatimin e barabartë të legjislacionit dhe forcimin e rendit juridik, duke vlerësuar se periudha në vijim do të jetë vendimtare për funksionalizimin e plotë të këtyre proceseve.