18 Janar 2026 04:27

Rihapet debati për modelin zgjedhor

Një marrëveshje deklarative mes tre koalicioneve më të mëdha politike për ndryshimin e modelit zgjedhor duket sërish e arritshme, pas sinjaleve që dolën nga takimi i liderëve të mbajtur një ditë më parë. Me nisjen e punës për hartimin e Kodit të ri zgjedhor, partitë kanë shprehur gatishmëri që, krahas çështjeve tjera, të hapin debat edhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor, konkretisht për zbatimin e një njësie të vetme zgjedhore me lista të hapura të kandidatëve për deputetë.

“Ne pajtohemi për një zonë zgjedhore, prag 5 për qind dhe lista të hapura”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

BDI-ja e ndryshoi qëndrimin e saj fillestar në maj të vitit 2023, pas shumë vitesh mbështetje të modelit aktual me gjashtë njësi zgjedhore. Më herët, kjo parti kishte vlerësuar se ndryshimi i këtij modeli do të ishte në dëm të shqiptarëve.

“Vlerësoj se modeli me gjashtë njësi zgjedhore e pasqyron më së miri strukturën heterogjene të shoqërisë sonë. Ne do t’i vazhdojmë bisedimet si BDI, por nuk do të lejojmë majorizim apo mbivotim të ndonjë partie nga një tjetër”, kishte deklaruar më herët Vjollca Ademi nga BDI.

Para BDI-së, një ndryshim qëndrimi kishte ndodhur edhe brenda VMRO-DPMNE-së, e cila për vite kishte qenë kundër një njësie të vetme zgjedhore.

“Diskutuam për Kodin zgjedhor, numrin e njësive zgjedhore dhe mënyrën e votimit të diasporës…”, tha kryeministri Hristijan Mickoski, pa dhënë më shumë detaje.

Megjithatë, në bisedimet e mëhershme, VMRO-DPMNE kishte pranuar modelin me një njësi zgjedhore.

“VMRO-DPMNE e pranon modelin me një njësi zgjedhore, sepse garanton barazi të votës në çdo komunë dhe në gjithë territorin e Maqedonisë. I bëjmë thirrje qeverisë të propozojë një zgjidhje të tillë”, u shpreh deputeti Antonio Miloshoski.

Koalicioni VLEN ende nuk ka një qëndrim të unifikuar për modelin zgjedhor, pasi partitë përbërëse kanë pasur mendime të ndryshme më parë. Megjithatë, ekziston një qasje përgjithësisht pozitive ndaj listave të hapura.

“Nuk ka një model për të cilin jam i bindur se është ideal. Çdo model ka avantazhet dhe mangësitë e veta. Sa i përket listave të hapura, personalisht jam pro kësaj ideje. Ajo e zvogëlon fuqinë e liderit dhe forcon demokracinë e brendshme partiake”, deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

LSDM-ja nuk mori pjesë në takimin e fundit, por mbështetja për një njësi zgjedhore dhe lista të hapura ka qenë pjesë e programit të saj që nga zgjedhjet e vitit 2016.

“Një njësi zgjedhore është pjesë e programit tonë. Ne jemi për këtë model, por çdo ndryshim duhet të miratohet me konsensus të gjerë”, tha Bogdanka Kuzeska nga LSDM.

Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Ziadin Sela mbron modelin me tetë njësi zgjedhore, sa janë rajonet zhvillimore. Sipas tyre, një njësi e vetme, pa mekanizma garantues për përfaqësimin e shqiptarëve, do të dëmtonte praninë e tyre në Kuvend.

Një iniciativë konkrete për ndryshimin e modelit zgjedhor ishte dorëzuar në Kuvend në vitin 2021 nga partitë më të vogla, atëherë partnere të LSDM-së. Një nga propozuesit, Pavlle Trajanov, kishte theksuar se partitë e vogla mbështesin një njësi zgjedhore pa prag zgjedhor, duke paralajmëruar se vendosja e pragut do t’i përjashtonte nga Kuvendi, përfshirë edhe partitë shqiptare që nuk hyjnë në koalicione.