Me iniciativë të Kryeministrit dhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sot në Klubin e Deputetëve do të mbahet takim i liderëve të partive parlamentare që kanë grupe parlamentare në Kuvend.
Në takim pritet të diskutohen ligjet reformuese në gjyqësor, zgjedhja e Avokatit të Popullit, Kodi Zgjedhor, shfuqizimi i qeverisë teknike, si dhe tema të tjera të propozuara nga pjesëmarrësit.
Nga opozita, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar lideri i Levicës, Dimitar Apasiev, dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Ndërkohë, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, e refuzoi ftesën e Mickoskit për konsensus mbi çështjet kyçe për shtetin.
Nga partnerët e koalicionit qeveritar, në takim pritet të marrë pjesë kryetari i ZNAM-it dhe kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ndërsa nga koalicioni VLEN do të jetë kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Koordinatori i grupit parlamentar VLEN, Bekim Qoku, bëri të ditur se koalicioni e ka pranuar ftesën dhe do të përfaqësohet nga Kasami, ndërsa ai vetë do të marrë pjesë si koordinator.
Qoku theksoi se mbajtja e një qeverie teknike nuk është e përshtatshme për një shtet që negocion anëtarësimin në BE, duke shtuar se zgjedhjet lokale kanë dëshmuar se vendi mund të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike edhe pa qeverinë e Przhinës.
BDI vendimin për pjesëmarrjen e Ahmetit e mori mbrëmë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë në Mala Reçicë. Zëdhënësja e BDI-së, Arta Biljali Zendeli, deklaroi se vendimi është marrë unanimisht, duke shtuar se përcaktimi i qëndrimeve në takim është “e drejtë ekskluzive e Ali Ahmetit”.
Levicë njoftoi se e mbështet shfuqizimin e qeverisë teknike vetëm nëse vendoset një njësi e vetme zgjedhore. Deputeti Amar Mecinoviq konfirmoi se partia do të marrë pjesë në takimin e lidershipit, duke vlerësuar se është koha për dialog konstruktiv dhe konsensus për çështjet shtetërore.
Takimi u mirëprit edhe nga PLD dhe DOM. PLD shprehu gatishmëri për pjesëmarrje, duke theksuar se diskutimi nuk duhet të kufizohet vetëm te qeveria teknike, por edhe te çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. DOM kërkoi që në agjendë të përfshihet një njësi e vetme zgjedhore dhe lista të hapura pa prag zgjedhor.
Kryeministri Mickoski, duke folur më herët për iniciativën, theksoi se pret konsensus të gjerë parlamentar për reformat dhe për shfuqizimin e qeverisë teknike, duke vlerësuar se ndryshime të tilla në sistemin politik duhet të bëhen vetëm me pajtim të gjerë.
Nga ana tjetër, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, e cilësoi thirrjen për takim si përpjekje për të krijuar alibi për zgjedhje të parakohshme, duke theksuar se qeveria teknike mbetet garanci për zgjedhje të ndershme dhe mekanizëm kontrolli ndaj abuzimeve institucionale.
Lëvizja ZNAM – Për Maqedoninë Tonë e përshëndeti iniciativën e Kryeministrit, duke e vlerësuar si mundësi për përgjegjësi politike dhe duke kritikuar refuzimin e dialogut nga LSDM-ja.

