Koalicioni VLEN do të përfaqësohet nga kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, në takimin e paralajmëruar të liderëve politikë. Kasami e ka konfirmuar pjesëmarrjen për Alsat, duke bërë të ditur se në takim do të shoqërohet nga koordinatori i grupit parlamentar, Bekim Qoku.
Nga partia shqiptare që është pjesë e pushtetit, për momentin nuk konfirmojnë nëse do të parashtrojnë kërkesa apo tema të veçanta që duhet të hapen në këtë takim. Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar më herët se nevoja për një takim të tillë vjen si pasojë e çështjeve të rëndësishme që, sipas tij, kërkojnë konsensus politik, si shfuqizimi i qeverisë teknike dhe miratimi i ligjeve reformuese.
Megjithatë, ftesa e dërguar liderëve politikë nuk përmban pika konkrete të rendit të ditës. Në të thuhet shkurt se në takim do të diskutohet për gjendjen politike dhe ekonomike në vend, si dhe tema të tjera të përgjithshme.
Takimi është refuzuar nga kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili ka deklaruar se nuk do të ulet në tryezë me, siç u shpreh ai, “kriminelë”, duke theksuar gjithashtu se kundërshton shfuqizimin e modelit të qeverisë teknike.
Ndërkohë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ende nuk ka marrë vendim nëse do të marrë pjesë në takimin e liderëve të paralajmëruar nga kreu i qeverisë.

