18 Janar 2026 01:23

Reagimi i zevëndëspresidentit JD Vance ndez zemërim kombëtar pas vrasjes së Renee Good nga agjenti i ICE-së

Publikimi dhe shpërndarja nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance e një videoje të kapur nga një agjent i ICE-së, që lidhet me të shtënat fatale ndaj Renee Nicole Good në Minneapolis, ka shkaktuar reagime të ashpra dhe ka thelluar më tej tensionet politike dhe shoqërore në SHBA.

Videoja, e cila ofron një perspektivë të afërt dhe të papërpunuar të momenteve që paraprinë vrasjen e nënës nga Minneapolis, u ritweetua nga Vance me pretendimin se “tregon se oficeri ishte në rrezik”. Ky qëndrim është parë nga kritikët si një justifikim i menjëhershëm i dhunës policore dhe një sinjal politik alarmues nga një prej figurave më të larta të administratës Trump.

Reagimi i zëvendëspresidentit ka ardhur në një moment kur vendi po përfshihet nga protesta kombëtare, tubime të heshtura dhe manifestime solidariteti, që denoncojnë vrasjen e Renee Good dhe politikat gjithnjë e më të ashpra të administratës Trump kundër imigracionit.

Ndërkohë, hetimi për rastin është vënë nën një shqyrtim të fortë publik. FBI-ja ka marrë përsipër hetimin, mes thirrjeve të vazhdueshme për transparencë, ndërsa një nga agjencitë kryesore hetimore të Minesotës ka deklaruar se i është bllokuar qasja në materiale kyçe të çështjes — një zhvillim që ka ngritur dyshime serioze për ndërhyrje politike dhe mungesë pavarësie.

Reagime kanë ardhur edhe nga skena ndërkombëtare. Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Stéphane Dujarric, deklaroi se pamjet video të vrasjes së Renee Nicole Good janë “thellësisht shqetësuese”.

“Mendoj se shqetëson këdo që e ka parë,” tha Dujarric gjatë një konference për shtyp. “E kuptojmë që po zhvillohet një hetim dhe shpresojmë që ai të kryhet plotësisht dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.”

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e mbrojtjes së të drejtës për protestë paqësore, në një kohë kur autoritetet federale po përballen me kritika për qasjen e tyre ndaj protestuesve.

Në Minneapolis, dhjetëra qytetarë u mblodhën sot në një memorial për Renee Good, ku u vendosën lule dhe homazhe në nderim të saj. Pamjet nga WCCO, degë e CNN, tregojnë anëtarë të komunitetit somalez që qëndruan krah për krah, duke shprehur dhimbjen dhe solidaritetin me familjen e viktimës.

Udhëheqësit e komunitetit somalez deklaruan se vdekja e Renee Good “ka tronditur komunitetet në të gjithë qytetin dhe në mbarë vendin”, duke kërkuar drejtësi, llogaridhënie dhe fundin e asaj që ata e quajnë normalizim të dhunës shtetërore ndaj civilëve.

Në këtë kontekst, reagimi i JD Vance shihet nga shumë si simbol i një politike që, në vend se të kërkojë të vërtetën dhe drejtësinë, nxit polarizimin dhe mbron verbërisht aparatin e forcës edhe kur një nënë humb

Videoja prej 47 sekondash, e siguruar nga mediumi lokal Alpha News, shfaq Renee Nicole Good duke qëndruar pas timonit të veturës së saj dhe duke komunikuar me agjentin e ICE-së. Pamjet janë shpërndarë edhe nga zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, i cili ka thënë se agjenti ka vepruar në vetëmbrojtje. Ndërkohë, autoritetet lokale kanë këmbëngulur se gruaja nuk paraqiste rrezik.

Goodi ishte e martuar me një grua. Ajo i ka bërë homazhe Goodit, duke thënë se të dyja po përpiqeshin të ndihmonin fqinjët kur ndodhi incidenti. Vdekja e saj ka nxitur protesta në disa qytete të Shteteve të Bashkuara.