17 Janar 2026 16:28

Lumir Abdixhiku akuzon mediat si mercenarë dhe pazarxhinj

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka lëshuar sot kritika të ashpra në drejtim të medias, analistëve dhe opinionistëve. Në deklaratat e tij, zoti Abdixhiku i etiketoi ata si “mercenarë” dhe “pazarxhinj”, duke ngritur tonet në debatin publik rreth çështjeve politike.

Abdixhiku theksoi se deputeti i partisë së tij, Besian Mustafa, kishte “trazuar mercenarët” me deklaratat e tij. Kjo aludonte në një debat televiziv ku Mustafa kishte shprehur haptazi se LDK kishte kryer një gabim të madh historik duke votuar Hashim Thaçin për postin e presidentit, një deklaratë që duket se ka nxitur reagime të shumta.

Kreu i LDK-së vazhdoi sulmin verbal, duke theksuar se formacioni i tij politik nuk matet me titujt e portaleve të cilat i konsideron si “mercenare” dhe as me opinionet e artikuluara nga analistë që ai i cilëson si të “porositur”. Ai nënkuptoi se partia e tij qëndron mbi këtë lloj të perceptuar të kritikës dhe opinionit publik.

Në mesazhin e tij, Abdixhiku bëri thirrje për një ballafaqim të drejtpërdrejtë. “Le t’i ballafaqojmë mercenarët dhe paratë që i aktivizojnë kundër njerëzve më të mirë të Lidhjes, sikurse Besian Mustafa,” shkroi ai, duke nënvizuar nevojën për të mbrojtur anëtarët e shquar të partisë nga ajo që ai e konsideron si një sulm të orkestruar.

Postimi i tij i plotë:

Ç’mi ke trazuar mercenarët, o Besian?

Besiani, një politikan shembullor, e LDK me gjithë të, nuk kanë frikë nga zhurma. As nga sulmet e paguara. LDK nuk matet me tituj portalesh mercenarizmi e as me opinione të porositura nga dëshpërimi se nuk i fusin thonjtë dot tek anëtarësia e LDK-së. Nuk po ju dëgjojnë. Nuk po ju llogarisin.

I keni partitë tuaja.

Mbajeni duhmën e pazareve mes tyre.

Ka kush merret me LDK-në. Veç ju dhe partitë tuaja, kurrë jo. Kjo shtëpi e ka anëtarësinë që e do pa kushte; që e mbronë nëpër ditë të vështira, nëpër sulme, nëpër zhgënjime.

Sa herë që LDK është sulmuar, ka qenë sepse ka qenë e fortë nga brenda. Dhe kjo i bën nervoz. Sepse uniteti ynë, në të mirë e vështirë – sidomos në të vështirë – është pengesë fatale për pazare, për pushtete të lehta dhe për interesa primitive. Sulmet nuk na dobësojnë. Na bëjnë më të qartë pse jemi këtu.

Ne nuk do të përgjigjemi me mllef. Do të përgjigjemi me punë. Me program. Me besim te shteti dhe te qytetari. Me njerëz të së ardhmes, mu sikurse Besiani!

Kjo është përgjigjja jonë. Qetë. Drejt. Dhe përpara. Trazimet le të vazhdojnë. Hapur, madje. Le t’i ballafaqojmë mercenarët dhe paratë që i aktivizojnë kundër njerëzve më të mirë të Lidhjes; sikurse Besian Mustafa.