Filipçe nuk e ka ndryshuar qëndrimin dhe nuk do të marrë pjesë në takimin e lidershipit me kryeministrin Hristijan Mickoski, i planifikuar për 14 janar në Klubin e Përfaqësuesve.
Sipas tij, pjesëmarrja në një takim të tillë do të nënkuptonte legjitimim të një qeverie që, siç thotë ai, synon t’i shmanget përgjegjësisë përmes shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme.
Filipçe rithekson se mbetet i palëkundur në mbështetjen e qeverisë teknike, të cilën e konsideron si një garanci për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Edhe pse nuk do të marrë pjesë në takim, ai thekson se LSDM nuk i shmanget debatit, por vlerëson se ai duhet të zhvillohet në Kuvend.
Sa i përket ligjeve reformuese të propozuara nga qeveria, Filipçe deklaron se LSDM do t’i mbështesë, pavarësisht rezervave që ka ndaj tyre. Megjithatë, sipas tij, këto reforma nuk e hapin rrugën e integrimit evropian të vendit. Ai akuzon Mickoskin për ndjekje të politikave anti-BE dhe për provokim të Sofjes dhe Athinës, duke theksuar se e vetmja mënyrë për nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian janë ndryshimet urgjente kushtetuese, me përfshirjen e bullgarëve si bashkësi në Kushtetutë.
Filipçe shprehu gjithashtu pakënaqësi lidhur me ndryshimet në Kodin Penal, duke vlerësuar se dënimet për zyrtarët e korruptuar mbeten të ulëta. Në kontekstin e procesit zgjedhor dhe në mungesë të një ministri të Brendshëm nga opozita, ai problematizoi edhe projektin “Qytet i Sigurt”, duke ngritur shqetësime për pronësinë dhe përdorimin e të dhënave mbi lëvizjen e automjeteve.
Nga VMRO-DPMNE reaguan se me këto qëndrime Filipçe nuk po refuzon vetëm takimin e liderëve, por edhe dialogun politik dhe ndërtimin e një konsensusi për interesat shtetërore. Sipas partisë në pushtet, kundërshtimi i reformave në gjyqësor dhe prokurori lidhet me, siç thuhet, frikën nga përgjegjësia penale për disa raste të mëparshme, përfshirë tragjedinë e spitalit modular në Tetovë dhe çështje të tjera që ata i cilësojnë si afera korruptive.

