Pas ceremonisë pompoze gjatë fushatës elektorale, ku kryeministri Edi Rama deklaroi se Aeroporti i Vlorës ishte thuajse gati për të nisur fluturimet.
Në pamje të parë, ky bllokim duket si pasojë e një konflikti mes dy aksionerëve të shoqërisë koncesionare VIA (Vlora International Airport): Mabco, në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli, dhe 2A Group e Valon Ademit. Ky i fundit pretendon se zotëron më shumë aksione sesa ato të regjistruara zyrtarisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ndërsa Mabco këmbëngul se është pronare e 98% të aksioneve.
Sipas Ademit, 2A Group duhet të figurojë me 49% të aksioneve, bazuar në një kontratë të prillit 2025, ku pretendohet se Mabco i ka kaluar 47% aksione si kompensim për punime të kryera. Mabco e hedh poshtë kategorikisht këtë kontratë, duke e cilësuar atë të pavlefshme ligjërisht, të nënshkruar pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin zvicerian, si dhe pa miratimin e institucioneve shtetërore shqiptare, të detyrueshme për shoqëritë koncesionare.
Në një shtet normal, një konflikt i tillë do të zgjidhej në gjykatë, pa ndikuar në funksionimin e kompanisë dhe pa bllokuar një investim strategjik. Por në Shqipëri ndodhi e kundërta.
Përmes një serie vendimesh të dyshimta të Gjykatës së Shkallës së Parë, një aksioner me vetëm 2% arriti të paralizojë të gjithë veprimtarinë e VIA-s dhe të bllokojë ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.
Në tetor 2025, gjyqtari Fatmir Ndreu pranoi një kërkesë për siguri padie të paraqitur nga 2A Group, ndonëse ende pa padi në themel, dhe vendosi jo vetëm mostjetërsimin e 47% të aksioneve të pretenduara, por edhe pezullimin e të drejtës së votës për Mabco – aksioneren me 98% të kuotave – duke e lënë shoqërinë praktikisht të paralizuar.
Vendimi i Ndreut shkonte edhe më tej: pezullimi do të zgjaste deri në regjistrimin e aksioneve të pretenduara nga Ademi në QKB, një kusht i paqartë, i paligjshëm dhe jashtë çdo logjike juridike.


Kjo situatë u korrigjua dy muaj më pas nga Gjykata e Apelit, e cila me vendim të formës së prerë rrëzoi pezullimin e të drejtës së votës për Mabco dhe vendosi që siguria e padisë të vlejë vetëm për mostjetërsimin e aksioneve të pretenduara, duke hapur rrugë vazhdimit të punimeve në aeroport.
Por ndërsa Apeli rregullonte skandalin, një tjetër gjyqtare e Shkallës së Parë, Marjana Shegani, e thelloi atë.
Pak ditë para shpalljes së vendimit të Apelit, 2A Group paraqiti një kërkesë të re për siguri padie, duke kërkuar sërish pezullimin e të drejtës së votës së Mabco dhe madje përjashtimin e saj nga shoqëria VIA. Pavarësisht se ishte në dijeni të vendimit të Apelit, Shegani vendosi të pezullojë jo vetëm të drejtën e votës, por “çdo të drejtë që rrjedh nga zotërimi i kuotës”, duke e nxjerrë praktikisht Mabco-n jashtë shoqërisë.
Një vendim i tillë, që bie ndesh hapur me një vendim të formës së prerë të Apelit, përbën një precedent të rrezikshëm për klimën e biznesit dhe investimet e huaja në Shqipëri.
Pasojë direkte e këtyre vendimeve është bllokimi total i Aeroportit të Vlorës, një investim qindra milionë euro, që sot mbahet peng nga një aksioner me 2% të aksioneve të regjistruara.
2A Group është nënkontraktore dhe jo investitore në projekt. Sipas dokumenteve, ajo ka vënë si kolateral për kredinë 60 milionë euro nga BKT vetëm 2% të aksioneve të saj, ndërsa i gjithë kolaterali fizik është i Mabco-s. Pretendimi se faturat e punimeve mund të konvertohen në aksione nuk mbështetet në asnjë kontratë apo bazë ligjore.
Megjithatë, gjyqtarët e Shkallës së Parë kanë mbyllur sytë ndaj këtyre fakteve, duke e shndërruar 2 përqindshin në një levë bllokuese absolute.
Dyshimet janë se Valon Ademi nuk është aktori real pas kësaj skeme. Në prapaskenë përfliten emra me ndikim në politikë dhe biznes, të interesuar për të nxjerrë jashtë loje Mabco-n dhe për të rikonfiguruar koncesionin e aeroportit.

Heshtja e qeverisë, e kryeministrit dhe e ministres së Transporteve për këtë bllokim të paprecedent, ndonëse aeroporti ishte shpallur gati për inaugurim, vetëm sa i forcon këto dyshime.
Ndërkohë, dëmi ekonomik po rritet çdo ditë: paga të papaguara, kontrata të bllokuara, penalitete financiare dhe rrezik real për dështimin e të gjithë projektit. Nëse Mabco detyrohet të tërhiqet, fatura do të jetë e dyfishtë për shqiptarët: ndërtimi i aeroportit dhe dëmshpërblimi në arbitrazh ndërkombëtar.
Si në rastin e Beketit, edhe këtë herë, çmimin e aventurave juridike dhe grabitjeve koncesionare rrezikon ta paguajë publiku shqiptar.Lapsi.al

