18 Janar 2026 00:53

Ministri Fatmir Limani reagon ndaj rastit të rëndë të abuzimit në Sllupçan

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ka shprehur shqetësim të thellë për rastin tronditës të abuzimit ndaj një të miture në vendbanimin Sllupçan.

Sipas tij, bëhet fjalë për një formë të rëndë të veprës penale që shkel normat ligjore dhe sulmon të drejtat dhe dinjitetin e fëmijës.

“Dënoj në mënyrën më të ashpër çdo formë dhune, shantazhi dhe shfrytëzimi seksual të fëmijëve dhe të rinjve. Mbrojtja e fëmijëve është detyrim kushtetues dhe ligjor i shtetit dhe përgjegjësi kolektive e të gjithë institucioneve dhe qytetarëve. Asnjë rrethanë familjare, shoqërore apo kulturore nuk mund të shërbejë si justifikim për veprime të tilla të papranueshme”, ka deklaruar Limani.

Ministri ka kërkuar veprim të menjëhershëm nga organet kompetente, duke bërë thirrje për veprime të shpejta, të plota dhe joselektive nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike për zbardhjen e plotë të rastit dhe sigurimin e përgjegjësisë për kryerësit.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga Qendrat për Punë Sociale që të ndërmarrin menjëherë të gjitha masat për mbrojtjen e viktimës, përfshirë mbështetjen psikologjike, sociale dhe juridike për të dhe familjen e saj.

“Do të vazhdojmë me intensifikimin e masave për parandalim dhe mbrojtje të fëmijëve viktima, përmes forcimit të sistemit për identifikim të hershëm, ndërhyrje dhe parandalim të dhunës dhe abuzimit. Siguria dhe mirëqenia e fëmijëve mbeten prioritet absolut,” ka theksuar Limani.