Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur aktgjykimin lidhur me kërkesat e paraqitura nga 12 deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të cilët kishin kundërshtuar kushtetutshmërinë e vendimeve të Kuvendit për miratimin e 15 ligjeve në seancën e 5 dhjetorit 2024.
Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se 12 nga këto vendime të Kuvendit nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konkretisht me nenet 4, 7, 74, 76 dhe 77 të Kushtetutës, të cilat rregullojnë parimet themelore të ndarjes së pushteteve, ushtrimin e mandatit të deputetit dhe procedurat parlamentare.
Si jokushtetuese janë shpallur vendimet e Kuvendit për miratimin e këtyre ligjeve:
- Ligji për Shërbimet e Pagesave;
- Ligji kundër dukurive negative në sport;
- Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit;
- Ligji për provimin e maturës shtetërore;
- Ligji për Banim Social dhe të Përballueshëm;
- Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim;
- Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor;
- Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale;
- Ligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore;
- Ligji për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore;
- Ligji për Inspektoratin Qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit, si dhe mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore;
- Ligji për Lojërat Mesdhetare XXI “Prishtina 2030”.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se tre vendime të Kuvendit janë në përputhje me Kushtetutën, përkatësisht ato që lidhen me miratimin e:
- Ligjit për Bankat;
- Ligjit për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut;
- Ligjit për Gjykatën Administrative.
Sipas arsyetimit të Gjykatës, për ligjet e shpallura jokushtetuese, procedurat e ndjekura nga Kuvendi më 5 dhjetor 2024 nuk kanë respektuar dispozitat kushtetuese që rregullojnë ushtrimin e funksionit të deputetëve, rregulloren e punës së Kuvendit, si dhe rolin dhe kompetencat e komisioneve parlamentare.
Aktgjykimi është marrë pas shqyrtimit të kërkesave të bashkuara me numrat KO246/24 deri KO260/24, të parashtruara nga deputetët e PDK-së, dhe është miratuar më 9 janar 2026.
