18 Janar 2026 00:15

Prishtina e intergron mergatën, Shkupi e penalizon

Nga Nebi Mërseli & Astrit Gashi

Ndërsa bota flet për epokën e digjitalizimit, shqiptarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) në mërgatë mbeten peng të një sistemi zgjedhor që duket se është projektuar për t’i heshtur. Me mbi 600 mijë shtetas, prej të cilëve afër 200 mijë jashtë vendit, kjo forcë kolosale po shndërrohet në një “gjigant të fjetur”, i cili, për shkak të burokracisë dhe mungesës së vizionit politik, po e dorëzon vullnetarisht fuqinë e tij vendimmarrëse në Shkup.

Sipas ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor (shtator 2024), pragu për zgjedhjen e një deputeti nga mërgata është i lidhur me rezultatin e ciklit të kaluar rreth 5,355 vota. Në shikim të parë, ky numër duket i arritshëm për një mërgatë të madhe sa kanë shqiptarët. Megjithatë, realiteti është një dështim i projektuar. Aplikacioni i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), i cili hapet vetëm si një “dritare emergjente” pak ditë para zgjedhjeve, dhe procedurat e ndërlikuara të regjistrimit, shërbejnë si mure artificiale.

Pa deputetët e mërgatës, pesha e votës shqiptare në Parlamentin e RMV-së ulet, duke zbehur mundësinë për të mbrojtur interesat kombëtare dhe investimet në vendlindje. Në Kosovë qasja ndaj diasporës ka pësuar një transformim rrënjësor. Kosova e ka kuptuar se mërgata nuk është thjesht një “bankomat” për remitanca, por një faktor përcaktues politik. Duke mundësuar votimin përmes postës edhe për zgjedhjet lokale dhe duke thjeshtuar procedurat, Kosova ka integruar mushkëritë e saj ekonomike në organizmin e saj politik.

Në RMV, ndodh e kundërta. Megjithëse regjistrimi i popullsisë në vitin 2021 dëshmoi se teknologjia ekziston dhe shqiptarët e mërgatës kanë vullnet për t’u regjistruar, partitë politike në Shkup po hezitojnë ta aplikojnë këtë model në procesin zgjedhor. Kjo mungesë e votimit elektronik apo postar është një dënim i heshtur për qytetarët që jetojnë në Berlin, Cyrih apo Nju Jork. Dështimi ka një adresë të qartë dhe ajo nuk është te mërgimtari i thjeshtë. Subjektet politike shqiptare: Vizitat e tyre në diasporë i ngjajnë “turizmit elektoral”.

Ata shkojnë për fotografi e tubime, por dështojnë të krijojnë infrastrukturë dhe strategji për t’i udhëzuar votuesit në procesin e regjistrimit. Edhepse RMV kishte një ministër shqiptar u veprua si diplomaci e shurdhër: përfaqësitë diplomatike dhe konsullore, shpesh të udhëhequra nga kuadro shqiptarë, nuk kanë treguar angazhimin e duhur për të masivizuar procesin. Ata duhet të ishin qendrat e informimit, e jo thjesht zyra pasaporte. Mjaftë me arsyetime teknike. Për të parandaluar asgjësimin e fuqisë politike të 200 mijë shqiptarëve jashtë vendit, ne kërkojmë implementimin e votimit elektronik: nëse shteti arriti të regjistrojë mërgatën online në vitin 2021, nuk ka asnjë pengesë teknike që të mos mundësohet votimi digjital i sigurt. Votimi përmes postës: RMV duhet të ndjekë modelin e Kosovës dhe vendeve perëndimore. Votimi vetëm nëpër konsullata (shpesh qindra kilometra larg vendbanimit të mërgimtarit) është një formë indirekte e mohimit të së drejtës së votës.

Hapjen e regjistrimit gjatë gjithë vitit: KSHZ duhet të mbajë portalin e regjistrimit të hapur vazhdimisht, e jo vetëm 10 ditë para zgjedhjeve. Statusi i votuesit jashtë vendit duhet të azhurnohet në kohë reale. Përgjegjësi nga përfaqësitë diplomatike: MPJ duhet të vendosë kritere të performancës për ambasadat. Masivizimi i regjistrimit të mërgatës duhet të jetë prioritet kombëtar, jo një punë dytësore administrative. Unifikimi i faktorit politik shqiptar: partitë shqiptare duhet të pushojnë së luftuari për votat e brendshme dhe të bashkohen për të ndryshuar Kodin Zgjedhor që diskriminon mërgatën.

Nëse këto hapa nuk merren urgjentisht, mërgata shqiptarë do të mbetet vetëm një statistikë ekonomike, ndërsa vullneti i tyre politik do të vazhdojë të digjet në sirtarët e burokracisë së Shkupit. Nuk mund të kërkojmë investime nga mërgata, duke u mohuar atyre zërin në parlament. Në dy ciklet zgjedhore mërgata nuk ka arritur numrin e duhur për të përfaqësuar tre deputetë që janë të rezervuar për ta. Mërgata shqiptare në të gjitha ciklet zgjedhore nuk arrin të merrë pjesë, ngase dështon në regjistimin paraprak. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011, numri i deputetëve është rritur në 123, për shkak se tre deputetë ishin paraparë të zgjidhen nga mërgata dhe atëherë për shkak të pasivitetit të shqitarëve dhe mosinteresimit të partive shqiptare për të bindur të regjistrohen, janë zgjedhur që të tre maqedonas. Pas kësaj periudhe në të gjitha zgjedhjet nuk ka pas interesim të mërgatës, si të maqedonasve ashtu edhe të shqiptarëve për të votuar.

Shtrohet pyetja nëse duhet ndryshuar Kodin Zgjedhor dhe nëse vendi duhet të jetë një njësi zgjedhore, e jo në gjashtë sa janë tani dhe plus njësia shtatë që është mërgata. Ndryshimet do të mundësonin që në numrin e përgjithshëm mërgata shqiptare, e cila është teknikisht e vështirësuar për të votuar, të zgjedh përfaqësuesit e tyre. Në përllogaritë e bëra, në bazë të statistikave zyrtare të regjistrimit të fundit të vitit 2021, del se numri i shqiptarëve me qëndrim e punë në përkohshme nëpër botë është trefishi sa numri i maqedonasve dhe të tjerëve. Popullsia e përgjithshme në vend është 1.836.713 banorë, ndërsa sipas përkatësisë etnike është me 54.21% maqedonas, 29.52% shqiptarë, 3.98% turq, 2.34% romë, 0.44% vllehë, 1.18% serbë dhe të tjerë. Popullsia e përgjithshme jorezidente ishte 258.932. Dhe numrat flasin se prej tyre 24.45% janë maqedonas, 66.36% shqiptarë, 4.79% turq, që do të thotë se mbi 200 mijë shqiptarë zyrtarisht janë jashtë vendit. Gjykuar sipas numrit të përgjithshëm të banorëve, Parlamenti do të duhej të kishte dhjetë deputetë nga mërgata. Nëse një deputet me kodin aktual zgjedhor zgjidhet me pesë mijë vota, atëherë përfaqësimi i mërgatës me këtë numër është real.