18 Janar 2026 00:46

Filipçe refuzon ftesën e Mickoskit: Nuk ka takim liderësh me kriminelë

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e pjesëmarrjes në takimin e liderëve të paralajmëruar nga kryeministri Hristijan Mickoski, duke e cilësuar ftesën si një manovër politike në funksion të zgjedhjeve të parakohshme.

“Nuk do të ketë takim me kriminelë”, deklaroi Filipçe, duke theksuar se LSDM-ja nuk do të shërbejë si alibi apo “mbulesë” për veprimet e pushtetit aktual.

Në një konferencë për shtyp, Filipçe tha se iniciativa për takim liderësh është pjesë e një skenari më të gjerë politik, sipas të cilit fillimisht do të shkohej në zgjedhje, ndërsa më pas do të hapeshin negociata për marrëveshje politike dhe huamarrje financiare. Ai përmendi edhe plane të mundshme për pranimin e migrantëve në këmbim të mjeteve financiare, duke shtuar se për këtë çështje kanë raportuar edhe media britanike.

Në këtë kontekst, Filipçe insistoi që qeveria teknike të mbetet si mekanizëm kontrolli në prag të zgjedhjeve, ndërsa paralajmëroi se LSDM-ja do të vazhdojë të bëjë publike, siç u shpreh ai, abuzimet në sistemin gjyqësor.

Takimin e liderëve e paralajmëroi kryeministri Mickoski në një intervistë për televizionin “Alfa”, duke bërë të ditur se në ditët në vijim do t’u dërgonte ftesa liderëve të partive dhe koalicioneve parlamentare. Sipas tij, në takim do të diskutohej për arritjen e një konsensusi politik mbi ligjet reformuese të ndërlidhura me integrimin evropian, për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, si dhe për mundësinë e shfuqizimit të qeverisë teknike, por vetëm me pëlqimin e të gjithë aktorëve politikë relevantë.

Pas reagimit të ashpër të LSDM-së, mbetet e paqartë nëse takimi do të realizohet. Disa media raportojnë se ftesat ende nuk janë dërguar dhe se gjasat për mbajtjen e tij janë gjithnjë e më të vogla, veçanërisht pasi partia më e madhe opozitare ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në asnjë takim ku në rend dite është shfuqizimi i qeverisë teknike.