18 Janar 2026 01:14

Bejta: Do të punoj për të gjithë qytetarët e Gostivarit, pa hakmarrje ndaj administratës

Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, ka deklaruar se synimi i tij për këtë post është që të punojë në të mirë të të gjithë qytetarëve, pa dallime dhe pa hakmarrje politike.

Në kuadër të fushatës zgjedhore, Bejta theksoi se nuk do të ketë masa ndëshkuese ndaj administratës komunale, duke vlerësuar se ajo e ka kryer punën në mënyrë profesionale dhe në përputhje me udhëzimet e eprorëve të saj. Sipas tij, përgjegjësia për keqpërdorimet eventuale bie mbi ish-drejtuesit e komunës.

“Nuk vij që t’ju hakmerrem administratorëve. Administratorët në komunë dhe institucionet tjera e kanë kryer punën në mënyrë profesionale, ashtu siç u kanë thënë eprorët e tyre. Përgjegjësi kanë eprorët e tyre, Arben Taravari dhe Valbon Limani, për shkak se ata e kanë keqpërdorur pozitën zyrtare në krye të Komunës së Gostivarit”, deklaroi Bejta.

Ai shtoi se, nëse merr mandatin e kryetarit të komunës, angazhimi i tij do të jetë i përqendruar në zhvillimin e qytetit dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve, në mënyrë që Gostivari të bëhet një qytet për të cilin do të krenohen jo vetëm banorët, por edhe të gjithë vizitorët.

Bejta u shpreh i bindur se me një qasje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, Komuna e Gostivarit mund të ecë përpara drejt zhvillimit dhe transparencës.