Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, së bashku me deputeten Ilire Dauti dhe përfaqësues të partisë, vizituan shtabet zgjedhore në Dobërdoll dhe Gradec, duke dhënë mbështetje për kandidatin për kryetar komune, Zulhajrat Demiri.
Sipas Selës, në Komunën e Vrapçishtit tashmë ndihet një frymë e fuqishme fitoreje, e cila po shtrihet në çdo vendbanim, lagje dhe fshat. Ai theksoi se mobilizimi dhe mbështetja e banorëve janë të dukshme dhe se Vrapçishti ka nevojë për ndryshim, qeverisje të drejtë dhe zhvillim.
“Komuna e Vrapçishtit po shkon drejt zgjedhjes së një kryetari siç e meriton – njeri i fjalës, i punës dhe i rezultateve. Fitorja e Zulit do të jetë lajmi më i mirë, para së gjithash për vetë qytetarët, të cilët e njohin më së miri dhe e kanë kërkuar këtë ndryshim. Këtë frymë e ndjemë sonte edhe në Dobërdoll e Gradec”, ka shkruar Sela.
Ai shtoi se Aleanca për Shqiptarët do ta mbështesë maksimalisht kandidatin edhe në ditët e mbetura të fushatës, duke i uruar sukses në zgjedhjet e së dielës dhe në qeverisjen e ardhshme të komunës.
Ndërkohë, një ditë më herët, në Vrapçisht qëndruan edhe liderët e koalicionit VLEN, të cilët zhvilluan aktivitete me mbështetësit e tyre. Në këto takime morën pjesë Izet Mexhiti, Bekim Sali dhe Bilall Kasami, të cilët gjithashtu shprehën mbështetje për kandidatin Zulhajrat Demiri, duke bërë thirrje për mobilizim dhe pjesëmarrje sa më të madhe në zgjedhje.

