21 Janar 2026 13:01

Kryetari i Qytetit të Shkupit: Asnjë kompromis me ndotësit, gjoba deri në 53 mijë euro

Shkup – Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka bërë të ditur se autoritetet komunale kanë intensifikuar masat kundër ndotjes së ajrit, duke paralajmëruar zero tolerancë ndaj ndotësve dhe gjoba që arrijnë deri në 53 mijë euro.

Deklarata u bë pas mbajtjes së një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit, e cila iu kushtua ndotjes së ajrit dhe shkaqeve të saj. Sipas Gjorgjievskit, diskutimi u zhvillua në mënyrë konstruktive dhe pa ngarkesa politike, me fokus në veprime konkrete dhe përgjegjësi institucionale.

“Ky problem nuk zgjidhet brenda natës, por tani është përgjegjësia jonë që të veprojmë dhe ta bëjmë Shkupin një qytet më të pastër dhe më të shëndetshëm për të gjithë”, theksoi ai.

Gjorgjievski njoftoi se gjatë periudhës 6 nëntor – 1 janar janë ndërmarrë masa të shumta inspektuese: janë lëshuar 90 urdhra pagesash dhe gjoba, 35 mbikëqyrje emergjente dhe rreth 290 paralajmërime. Inspektorët e mjedisit kanë kryer mbi 45 kontrolle të jashtëzakonshme ndaj subjekteve juridike, veçanërisht në zonat e ish-fabrikave OHIS dhe Staklara, si dhe në territorin e komunës së Sarajit.

Sipas të dhënave zyrtare, subjektet juridike janë gjobitur nga 1.000 deri në 53.000 euro, ndërsa personat përgjegjës brenda tyre me nga 3.000 euro secili. Dhjetëra individë janë gjobitur nga 250 deri në 500 euro për ndezje zjarresh dhe hedhje të paligjshme të mbeturinave.

Kontrolle janë kryer edhe në kantierë ndërtimi, ku janë shqiptuar gjoba shtesë për mosrespektim të kushteve mjedisore dhe të qarkullimit. Inspektorati komunal, sipas kryetarit të qytetit, ka realizuar mbi 240 kontrolle në të gjithë Shkupin, duke rezultuar me paralajmërime dhe gjoba për dhjetëra objekte.

Gjorgjievski bëri të ditur se për vitin 2026, buxheti për mjedisin është rritur ndjeshëm në 64 milionë denarë, krahasuar me 24 milionë në vitin 2025. Po ashtu, 220 milionë denarë janë planifikuar për ngritjen dhe mirëmbajtjen e gjelbërimit publik dhe parqeve.

Në kuadër të masave parandaluese, qyteti ka siguruar subvencione për kondicionerë inverter, pastrim dhe filtrim të oxhaqeve, si dhe për biçikleta, me synim uljen e ndotjes dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Në fund, kryetari i Shkupit theksoi se vetëm përmes angazhimit të përbashkët, inspektimeve të rregullta dhe vullnetit të fortë politik, mund të mbrohet shëndeti i qytetarëve dhe i brezave të ardhshëm. “Shkupi meriton ajër të pastër dhe përgjegjësi nga të gjithë ne”, përfundoi ai.