21 Janar 2026 13:23

Me çmimet në rritje, kërkohet nga Qeveria mbikëqyrje e bizneseve

Kryetari i shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka shprehur shqetësimin se qytetarët konsumatorë në Kosovë janë lënë pas dore dhe diskriminuar. Sipas tij, ata nuk janë njohur as si sovranë, as si taksapagues thelbësorë, e as si faktorë të rëndësishëm në procesin e vendimmarrjes. Kjo situatë alarmante vjen në një kohë kur rritja e pandërprerë e çmimeve të produkteve esenciale ka shtyrë qytetarët të kërkojnë me ngulm edhe rritje të pagave.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Kaçaniku theksoi se viti aktual ka qenë “shumë i vështirë për arsye se ka pasur shumë lëvizje të çmimeve, fatkeqësisht, shumica nga lart.” Ai kritikoi ashpër qeverisjen aktuale, duke deklaruar se “as sivjet, as kjo legjislaturë qeveritare nuk e ka njohur konsumatorin e Kosovës, nuk e ka njohur as si sovran, as si elektoral, as si konsumator, as si taksapagues ligjërues të buxhetit të Republikës së Kosovës.” Këto mosnjohje, sipas tij, dëshmojnë shkeljen e të drejtave demokratike të qytetarit konsumator, duke shkaktuar indinjatë të thellë dhe ndjenjën e të qenurit i diskriminuar.

Drejtori i shoqatës lidhi këtë situatë me një sërë faktorësh globalë dhe të brendshëm. “Me fillimin e pandemisë kanë filluar të shtohen telashet, sepse COVID-i ka ardhur si problem kombëtar, si problem i tregut global. Pastaj filluan edhe luftërat, duke filluar nga Ukraina dhe të tjerat,” shpjegoi ai. Sipas Kaçanikut, këto ngjarje globale kanë tronditur menaxhmentin diplomatik e politik, ndërsa Kosova, si një shtet i ri me një klasë politike dhe qeverisëse relativisht të papërvojë, nuk arriti të zhvillojë kapacitete të mjaftueshme. Kjo ka rezultuar në margjinalizimin e shoqërisë civile dhe një mungesë interesi për të bashkëpunuar në zgjidhjen e problemeve.

Ankesat e z. Kaçaniku reflektohen gjerësisht edhe tek qytetarët e thjeshtë, të cilët theksojnë se rritja e çmimeve duhet domosdoshmërisht të shoqërohet me rritje të pagave dhe pensioneve. Një qytetar, i cili preferoi të mbetet anonim, theksoi se “si janë rritur çmimet, t’i rrisin edhe pagat edhe pensionet,” duke shprehur gjithashtu shqetësim për rritjen e tarifave të energjisë elektrike, të cilat, sipas tij, po bien rëndë mbi shtresat më të varfra. Ilir Binaka, një tjetër qytetar, kërkoi “më shumë reflektim dhe ndërhyrje” nga qeveria për të frenuar këtë trend, duke ndarë edhe përvoja të abuzimit me konsumatorin, ku produkte me afat të skaduar shiten me çmime më të ulëta. Ndërkaq, Izet Zhitia theksoi se rritja e çmimeve po ul ndjeshëm mirëqenien familjare dhe se një stabilizim afatgjatë i çmimeve mund të ndodhë vetëm në kushtet e një stabiliteti global.