Republika e Kosovës është rreshtuar zyrtarisht krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas operacionit të bujshëm anti-narkotik në Venezuelë, i cili çoi në kapjen e liderit Nicolas Maduro.
Përmes një deklarate në faqen e tij zyrtare kryeministeri ne detyre i Kosovës Albin Kurti ka shprehur mbështetjen e plotë për aksionin e udhëhequr nga Presidenti Donald Trump.
Në reagimin e tij, Kurti thekson se mbajtja përgjegjëse e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të drogës është një hap thelbësor për sigurinë globale. Si një aleate strategjike e SHBA-së dhe NATO-s, Prishtina zyrtare rikonfirmoi zotimin e saj për të luftuar dukuritë që cenojnë vlerat demokratike perëndimore.
“Kosova ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe kundër cenimit të vlerave demokratike nga aktorë përfaqësues (proxy) të kundërshtarëve tanë, si në rajon ashtu edhe më gjerë,” thuhet në deklaratë.
Përveç mbështetjes për operacionin në Venezuelë, institucionet e Kosovës kanë shfrytëzuar rastin për të tërhequr vëmendjen e aleatëve mbi situatën në Ballkanin Perëndimor. Në deklaratë bëhet thirrje për një vëmendje të shtuar ndaj “aktorëve të caktuar rajonalë”, të cilët synojnë destabilizimin përmes metodave hibride dhe kriminale.
Sipas deklaratës, këta aktorë po provokojnë vazhdimisht situatën e sigurisë përmes veprimeve që variojnë nga krimi i organizuar deri te kërcënimet terroriste dhe ushtarake, duke kërkuar kështu një reagim të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë për të ruajtur stabilitetin në rajon.

