Albin Kurti ka vendosur një standard të ri në historinë elektorale të Kosovës, duke thyer rekordin e tij personal për numrin e votave të marra nga një kandidat i vetëm që deri ne fund të procesit do të arrijë 400 mije vota
Sipas të dhënave të fundit, teksa procesi i numërimit po i drejtohet fundit me mbi 99 për qind të votave të procesuara, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka arritur shifrën mbresëlënëse prej 352 mijë votash e me diasporë do të arrije shumë afër 400 mijë vota.
Ky rezultat shënon një rritje krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025, ku Kurti kishte vendosur rekordin e mëparshëm me 337,491 vota. Brenda më pak se një viti, Kurti ka arritur të zgjerojë bazën e tij elektorale, duke u rikonfirmuar si figura politike më e votuar në historinë e parlamentarizmit kosovar.
Numërimi i deritanishëm konfirmon se Lëvizja Vetëvendosje mbetet forca kryesore në vend, e udhëhequr nga popullariteti i lartë i Kurtit. Edhe pse numërimi i votave të mbetura (përfshirë ato me postë dhe ato të personave me nevoja të veçanta) po vazhdon, pritet që shifra finale të rritet edhe më tej.
Ky rezultat i jashtëzakonshëm vjen në një moment kyç për politikën e Kosovës, duke i dhënë Kurtit një mandat të fuqishëm popullor për të vijuar agjendën e tij qeverisëse. KQZ pritet të shpallë rezultatet përfundimtare brenda pak ditësh, pasi të përmbyllet i gjithë procesi administrativ.

