Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka uruar Republikën e Kosovës për organizimin dhe zhvillimin me sukses të zgjedhjeve parlamentare, duke vlerësuar standardet demokratike dhe angazhimin e qytetarëve në procesin zgjedhor.
“Në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, shpreh urimet për mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve parlamentare në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Gashi.
Ai i ka drejtuar urime të veçanta kryeministrit Albin Kurti për rezultatin e arritur, duke theksuar se ky sukses dëshmon besimin dhe mbështetjen e qytetarëve për vizionin politik dhe angazhimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Gashi ka përgëzuar po ashtu të gjitha subjektet politike për pjesëmarrjen e tyre konstruktive në procesin zgjedhor, si dhe qytetarët e Kosovës për nivelin e lartë të kulturës dhe pjekurisë demokratike që kanë treguar.
Në mesazhin e tij, kryeparlamentari ka vënë theksin edhe në rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, duke theksuar përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe vëllazërore, si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë në funksion të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit evropian të rajonit.

