22 Janar 2026 23:57

Kurti voton në Prishtinë, fton qytetarët për pjesëmarrje masive

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka votuar sot në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, duke u bërë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.

Pas votimit, Kurti falënderoi qytetarët për angazhimin gjatë fushatës zgjedhore dhe shprehu bindjen se pjesëmarrja në zgjedhje do të jetë e lartë. Sipas tij, një pjesëmarrje masive ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e procesit zgjedhor dhe në legjitimitetin e institucioneve që dalin nga vota e qytetarëve.

Ai foli edhe për çështjen e koalicioneve, duke theksuar se zgjedhjet e parakohshme janë rezultat i refuzimit të koalicioneve të ofruara më herët.

“Kam ofruar koalicion në prill dhe maj të këtij viti. Sot jemi në zgjedhje të parakohshme pikërisht sepse këto koalicione u refuzuan. Koalicioni dështoi pa fajin tonë”, deklaroi Kurti.

Kurti theksoi se votimi i sotëm ka rëndësi të veçantë për konstituimin e legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Kosovës dhe shprehu shpresën që institucionet e reja të formohen sa më shpejt.

“Sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme. Ftoj të gjithë qytetarët të votojnë dhe besoj se legjislatura e 10-të do të konstituohet shpejt dhe qeveria do të formohet sa më parë”, u shpreh ai.