Shkup – Nënkryetarja e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Njëherit dhe zëdhenëse e partisë , Arta Bilalli Zendeli, deklaroi në një konferencë për media se Kongresi i Pestë i partisë ka zgjedhur një qasje të re politike, duke u distancuar nga, siç u shpreh ajo, klima e akuzave të ndërsjella, prodhimit të frikës dhe helmimit të opinionit publik.
Sipas Bilalli Zendelit, në vend të thellimit të ndarjeve dhe nxitjes së frikës, BDI ka propozuar ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe ndërprerjen e ciklit të apatisë, zhgënjimit dhe emigrimit masiv nga vendi. Në këtë kuadër, Kongresi doli me iniciativën për një Marrëveshje Kombëtare për Përparim.
Ajo theksoi se nisma nuk është partiake dhe as etnike, por një platformë mbarëshoqërore që synon të tejkalojë konfliktet artificiale dhe narrativat e frikës, të cilat, sipas saj, kanë penguar zhvillimin e vendit për vite me radhë. “Vendi po mbahet peng nga frikëra fiktive dhe armiq imagjinarë, të prodhuar për ruajtje apo fitim pushteti, çka ka sjellë stagnim dhe emigrim masiv,” u shpreh Bilalli Zendeli.
Sipas saj, Marrëveshja Kombëtare për Përparim synon të krijojë një platformë të përbashkët ku politika, ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, shoqëria civile, biznesi dhe akademia do të angazhohen për të ndërtuar konsensus mbi çështje kyçe si zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia dhe cilësia e jetës.
“Kjo marrëveshje synon të krijojë shpresë, të prodhojë mundësi dhe të hapë perspektivë për brezat që sot po largohen nga vendi,” theksoi ajo.
Në përfundim, BDI apeloi për ndërtimin e një konsensusi të gjerë shoqëror, duke vlerësuar se vendi ka nevojë për më shumë marrëveshje dhe përparim, e jo për ndarje dhe armiqësi të reja.
Konferenca e plotë

