Kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur akuzave të deputetes së BDI-së, Rina Ajdari, theksoi se vendimi për shfuqizimin e mekanizmit “Balancues” u miratua me propozim dhe rekomandim të BDI-së, në kohën kur kjo parti ishte pjesë e qeverisë dhe Artan Grubi shërbente si Zëvendëskryeministër i Parë.
Ai shtoi se nuk do të shqyrtonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi sipas tij, vendimet e kësaj gjykate nuk duhet të komentohen. Në seancën e kuvendit, deputetja Ajdari pretendoi se qeveria aktuale ka shfuqizuar mjetin për përfaqësim të drejtë, duke lënë shqiptarët pa të drejta të mbrojtura për pothuajse dy vjet dhe duke publikuar “konkurse skandaloze” punësimi vetëm për maqedonas.
Në përgjigje të këtyre pretendimeve, Mickoski e kundërshtoi fuqishëm duke theksuar se shpërndarja e të pavërtetave nga foltorja e kuvendit nuk do të sillte përfitime politike, por përkundrazi do të dëmtonte imazhin e BDI-së. Ai e cilësoi çdo gjë të thënë nga deputetja si të pasaktë dhe të pabazë. Kryeministri theksoi se do të ishte shenjë ndershmërie dhe integriteti nëse BDI do të kërkonte falje nga qytetarët, duke pranuar se ishte vetë ajo që mori vendimin për heqjen e Balancuesit në një seancë qeveritare. Për më tepër, ai kujtoi se të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët miratuan vendimin në fjalë, ishin zgjedhur nga shumica e mëparshme qeveritare e formuar nga LSDM dhe BDI, ose ishin propozime të ish-presidentit Stevo Pendarovski. Kjo, sipas tij, ishte e vërteta e cila duhet të njihet nga të gjithë qytetarët.

Mickoski shtoi se përsa i përket Ligjit për Përfaqësim të Drejtë, Komisioni i Venecias ka lëshuar një rekomandim pozitiv, dhe se vendimet e këtij Komisioni, sipas metodologjisë së re të anëtarësimit dhe negociatave në grupe, të kërkuar nga Franca, nuk duhet të komentohen, por duhet të zbatohen si pjesë thelbësore e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Ai refuzoi të futej në një debat nëse ligji i pëlqente apo jo BDI-së, duke theksuar se ai është Kryeministër i të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësie politike, etnike apo fetare. Gjithashtu, ai theksoi se për çdo individ që ndjehet i diskriminuar apo i disfavorizuar, ekzistojnë institucionet përkatëse dhe gjykatat, ku kanë të drejtën e pakufizuar të ankimimit.
Më tej, kryetari i qeverisë shprehu qartë qëndrimin se nuk do të toleronte keqpërdorimin e zyrave shtetërore për aktivitete jashtë detyrës, siç janë lojërat sportive apo vendosja e pajisjeve për gjumë dhe kalimin e natës brenda tyre, duke sugjeruar se aktivitete të tjera të papërshtatshme mund të kenë ndodhur gjithashtu. Këto deklarata, të bazuara edhe në një raport të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e bënë Mickoskin të shprehte se do të ishte turp nëse dikush do të mbronte sjellje të tilla, duke iu drejtuar Ajdarit me fjalët se si një zonjë, ajo duhet të ndjente turp pas gjithçkaje që kishte ndodhur. Këtë e theksoi me përgjegjësinë më të madhe, duke shtuar se për këtë ekziston një raport policor i detajuar.

