18 Janar 2026 00:50

Ikja masive,pse 70% e shqiptarëve nën 45 vjeç po zgjedhin europën?

Afërsisht 70% e shqiptarëve që banojnë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë poshtë moshës 45-vjeçare.

Ky fakt e pozicionon emigracionin shqiptar si një nga më të rinjtë në të gjithë Evropën. Të dhënat përkatëse janë publikuar nga Cens Hub i BE-së, duke u bazuar në regjistrimet e popullsisë të kryera në vitin 2021 në shumicën e shteteve anëtare.

Sipas analizës statistikore, më shumë se 60% e shqiptarëve të shpërngulur ndodhen në moshën aktive të punës, konkretisht nga 15 deri në 49 vjeç. Brenda kësaj kategorie, grupmosha nga 30 deri në 49 vjeç zë rreth 40.7% të totalit. Vlen të theksohet se kjo strukturë demografike shfaqet thuajse e njëjtë për të dyja gjinitë, duke dëshmuar për një emigracion gjithnjë e më familjar dhe me një baraspeshë gjinore.

Në të kundërt, popullsia që jeton brenda Shqipërisë po plaket me ritme të shpejta. Kjo vjen si pasojë e rritjes së numrit të individëve mbi 50 vjeç, ndërsa grup-moshat e reja dhe ato më produktive po pakësohen vazhdimisht. Në diasporë, personat mbi 65 vjeç përbëjnë vetëm rreth 5% të totalit, ndërsa fëmijët nën 15 vjeç arrijnë rreth 19%, gjë që tregon një vendosje më të qëndrueshme dhe afatgjatë të familjeve shqiptare jashtë vendit.

Këto të dhëna konfirmojnë se Shqipëria ka përjetuar një largim të theksuar dhe joproporcional të burimeve njerëzore në moshë pune. Kjo situatë krijon presion të shtuar mbi sistemin e pensioneve, shëndetësinë dhe financat publike brenda vendit. Pavarësisht kësaj, kontributi financiar nga bashkatdhetarët tanë jashtë kufijve vazhdon të jetë një mbështetje e rëndësishme ekonomike.