22 Janar 2026 23:53

Diaspora voton më 27 dhjetor në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se votimi i diasporës për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës do të zhvillohet më 27 dhjetor 2025, një ditë para ditës zyrtare të zgjedhjeve në Kosovë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar për KosovaPress se procesi i votimit fizik do të organizohet në 29 përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës, përmes të cilave do të mundësohet votimi i mbi 19 mijë e 300 shtetasve të Kosovës të regjistruar jashtë vendit.

Sipas Elezit, votimi do të nisë sipas kohës lokale, fillimisht në Konsullatën e Kosovës në Stamboll, për të vazhduar më pas në përfaqësitë diplomatike në shtetet evropiane, ndërsa procesi do të përmbyllet në Uashington, Nju Jork, Otavë dhe Toronto.

Ai sqaroi se gjatë procesit ka pasur ndryshime në numrin dhe vendndodhjen e qendrave të votimit jashtë vendit. Fillimisht, KQZ kishte planifikuar organizimin e votimit në 50 përfaqësi diplomatike dhe në 10 qendra votimi jashtë tyre, por këto të fundit janë anuluar pas vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykatës Supreme.

Më 18 dhjetor, KQZ ka rishqyrtuar vendimin dhe ka vendosur që votimi të mos zhvillohet as në tetë përfaqësi të tjera diplomatike, përfshirë ato në Tiranë, Shkup, Podgoricë, Ankara, Abu Dhabi, Ajova, Tokio dhe Kanbera, për shkak të numrit të vogël të votuesve të regjistruar. Në këto përfaqësi ishin regjistruar gjithsej 70 votues, të cilët janë udhëzuar të votojnë përmes postës.

Sipas vendimit përfundimtar, votimi fizik i diasporës më 27 dhjetor do të zhvillohet në përfaqësitë diplomatike në 18 shtete të botës, përfshirë Gjermaninë, Zvicrën, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Belgjikën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadanë, Austrinë, Suedinë, Italinë, Turqinë, Holandën, Kroacinë, Hungarinë dhe shtete të tjera evropiane.

KQZ thekson se qytetarët që nuk kanë mundësi të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike, do të kenë mundësinë ta ushtrojnë të drejtën e votës përmes postës, sipas procedurave të përcaktuara ligjore.