Pas humbjes së thellë në zgjedhjet lokale, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka paralajmëruar një “reformë të thellë” partiake.
Nga Astrit Gashi
Fjala reformë tingëllon e madhe, pothuajse, por përmbajtja e saj mbetet e kufizuar kur analizohet nga afër. Riformatimi i paralajmëruar për 20 dhjetorin përfshin largimin e rreth 70 për qind të kryesisë partiake, me emra që bien njëri pas tjetrit, si në një ritual paszgjedhor të pastrimit politik. Të gjithë përgjegjës. Të gjithë fajtorë. Me një përjashtim të vetëm lideri historik, “baba i partisë”, siç e quajnë disa militantë.
Nëse BDI pranon se ka dështuar rëndë në përfaqësim, qeverisje lokale dhe lidhje me elektoratin, atëherë pyetja thelbësore është e pashmangshme së kush e ndërtoi këtë strukturë për më shumë se dy dekada? Kush e drejtoi, e formësoi dhe e mbrojti atë në çdo fazë të saj? Përgjegjësia në politikë nuk mund të jetë një koncept abstrakt dhe as kolektiv anonim. Reforma që nuk prek lidershipin është më shumë alibi sesa guxim politik.
Ironia thellohet edhe më tej kur ky proces “riformatimi” rrezikon të prodhojë një migrim të figurave të konsumuara drejt partive të tjera, duke e kthyer skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut në një qarkullim personash, jo idesh. Partitë ndërrojnë emra, por jo mentalitet; fytyrat lëvizin, ndërsa konceptet mbeten të njëjta. Në këtë cikël, elektorati mbetet sërish spektator i një loje të vjetër të paketuar si risi.
Një tjetër dimension kritik i kësaj “reforme” është mungesa e përfshirjes reale të grave dhe të rinjve. Për vite me radhë, BDI ka funksionuar si një strukturë e mbyllur, hierarkike dhe thellësisht maskuline, ku rinia ka shërbyer kryesisht si dekor elektoral, ndërsa gratë janë trajtuar si kuotë statistikore, shpesh të margjinalizuara dhe të nënvlerësuara, madje edhe objekt talljeje apo abuzimi verbal nga figurat e vjetra të partisë. Pa një thyerje reale të këtij modeli, çdo pretendim për ndryshim mbetet formal dhe i përkohshëm.
Shembulli i fundit i partisë opozitare maqedonase LSDM është ilustrues dhe paralajmërues. Edhe atje u shpall një “reformë” pas humbjeve elektorale, u fol për përgjegjësi kolektive dhe për largime nga strukturat drejtuese, por pa një ballafaqim serioz me rolin e lidershipit dhe pa adresuar shkaqet strukturore të dështimit. Rezultati ishte i kundërt nga ai i synuar e revolta nuk u shua, por sapo ka filluar. Pakënaqësia u zhvendos nga nivelet e larta drejt bazës, duke e bërë partinë më të brishtë dhe më të fragmentuar.
Nëse e njëjta logjikë aplikohet edhe në BDI, atëherë skenari është i parashikueshëm. Pakënaqësi e heshtur, tension i brendshëm dhe një opozitë shqiptare e dobësuar, ndërkohë që partitë qeveritare përfitojnë nga kriza e kundërshtarëve të tyre. Kur opozita merret me alibi dhe jo me përgjegjësi reale, pushteti forcohet pa asnjë përpjekje shtesë. Në këtë kuptim, “reformat e kontrolluara” të opozitës shndërrohen në festë politike për qeverinë.
Shoqëria ka ndryshuar. Elektorati ka ndryshuar. Kërkesat për llogaridhënie, transparencë dhe përfaqësim real janë rritur. Vetëm partitë tradicionale po përpiqen të mbijetojnë pa ndryshuar veten. Dhe pikërisht këtu qëndron dilema qendrore: reforma nuk bëhet duke shpallur të gjithë fajtorë, përveç atij që ka pasur pushtetin më të madh dhe më afatgjatë.
Nëse 20 dhjetori do të jetë një ditë reflektimi real apo thjesht një akt simbolik për konsum të brendshëm partiak, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e qartë: reforma e vërtetë fillon vetëm atëherë kur askush nuk është i paprekshëm. Nëse ka vërtet vetëbesim politik dhe moral, lideri duhet të jetë i pari që e dëshmon këtë jo me fjalë, por me vepër duke marr mbi vetë pergjegjistë e humbjeve..

