Sot u shënua Dita e Arsimit Turk, e organizuar nga Shkolla Fillore “Tefeyyuz”, institucion me traditë të gjatë në ofrimin e mësimit në gjuhën amtare.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetari komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili vuri në pah rëndësinë e arsimit në gjuhën turke në Maqedoninë e Veriut dhe rolin e tij në ruajtjen e identitetit kulturor.
Ngjarja iu kushtua vlerësimit të arsimit në gjuhën turke dhe kontributit të vazhdueshëm të komunitetit turk në jetën arsimore dhe shoqërore të vendit. Gjatë aktivitetit u përcollën mesazhe për respekt, barazi dhe bashkëjetesë, duke riafirmuar përkushtimin institucional për mbështetjen e arsimit në gjuhën amtare si një vlerë e përbashkët e shoqërisë shumetnike.
Mexhiti theksoi se respektimi dhe zhvillimi i arsimit në gjuhën amtare për të gjitha komunitetet përbën një shtyllë themelore të barazisë, kohezionit shoqëror dhe ndërtimit të një shoqërie gjithëpërfshirëse në Maqedoninë e Veriut.

