21 Janar 2026 13:12

Bahamas njeh Republikën e Kosovës!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se Komonuelthi i Bahamas ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, duke u bërë kështu shteti i 121-të që ndërmerr një hap të tillë.

Sipas njoftimit, në kryeqytetin e Bahamas është nënshkruar marrëveshja dypalëshe për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve, nga Presidentja Osmani dhe Kryeministri i Bahamas, Philip Davis. Ky akt përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm diplomatik për Kosovën dhe një kontribut domethënës në konsolidimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

Në Deklaratën e Përbashkët, Komonuelthi i Bahamas dhe Republika e Kosovës konfirmojnë njohjen reciproke dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, me efekt nga data e nënshkrimit të marrëveshjes përkatëse, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961.

Të dyja palët riafirmojnë angazhimin e tyre ndaj parimeve themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë respektimin e sovranitetit shtetëror, barazinë mes shteteve dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Marrëdhëniet ndërmjet tyre do të ndërtohen mbi bazën e respektit të ndërsjellë, reciprocitetit dhe bashkëpunimit konstruktiv.

Deklarata gjithashtu thekson synimin e përbashkët për të avancuar bashkëpunimin bilateral në fusha me interes të ndërsjellë, si konsultimet politike, tregtia dhe investimet, turizmi, arsimi dhe kultura, teknologjia dhe inovacioni, bashkëpunimi në sektorin publik, si dhe shkëmbimet ndërnjerëzore, në përputhje me legjislacionin dhe procedurat e secilit shtet.

Në përfundim, Komonuelthi i Bahamas dhe Republika e Kosovës shprehin gatishmërinë për ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm dhe produktiv, i cili synon të shërbejë interesave të dy popujve dhe të kontribuojë në forcimin e paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.