21 Janar 2026 13:31

Hapet zyrtarisht ambulanta e rinovuar në Komunën e Haraçinës

Komuna e Haraçinës e përkushtuar të vazhdojë realizimin e projekteve që synojnë përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve

Kryetari i Komunës së Haraçinës, z. Daut Beqiri, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Shoqatës Kalliri i Mirësisë, z. Abedin Arifi, drejtorin e organizatës Islamic Relief, Dr. Muhamed Sulejman, drejtorin e Shtëpisë së Shëndetit – Shkup, z. Samir Iseni, si dhe ish-kryetarin e komunës, z. Ridvan Ibraimi, morën pjesë në hapjen zyrtare të ambulantës lokale të Haraçinës, e cila pas renovimit të plotë tashmë ofron kushte dukshëm më të mira për qytetarët dhe stafin mjekësor.

Ky investim është realizuar në kuadër të projektit “Qasje e integruar për zhvillim të qëndrueshëm të Komunës së Haraçinës” (2023–2025), projekt përmes të cilit janë përmirësuar shërbimet komunale, është mbështetur rrjeti i ujësjellësit dhe familjet në nevojë, ndërsa me këtë aktivitet është përmbyllur me sukses edhe faza e shëndetësisë.

Renovimi i ambulantës ka përfshirë rregullimin e plotë të hapësirave të brendshme si dhe pajisjen me mjete bazike mjekësore, duke krijuar një ambient më funksional dhe dinjitoz për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për banorët e komunës.

Me këtë rast, kryetari Beqiri shprehu mirënjohje të veçantë për Islamic Relief dhe Shoqatën Kalliri i Mirësisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, si dhe për të gjithë kontribuuesit që mundësuan realizimin e këtij projekti me rëndësi të veçantë për komunitetin lokal.

.