21 Janar 2026 13:11

Fetai: Pa udhëheqje të fortë dhe transparencë nuk ka luftë efektive kundër korrupsionit

Doha – Zëvendëskryeministri për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai, mori pjesë në Konferencën e 11-të të Shteteve Palë të Konventës së OKB-së kundër Korrupsionit (COSP11), e cila po shkon drejt përmbylljes në Doha.

Gjatë konferencës, mbi 2.500 përfaqësues nga rreth 170 shtete diskutuan zgjidhje konkrete për sfidat bashkëkohore të korrupsionit, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale, transparencën në financimin politik, ndërtimin e kulturës së integritetit dhe ndërlidhjen e korrupsionit me krime të tjera serioze.

Fetai foli në panelin kushtuar strategjive gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit në Evropën Juglindore, ku theksoi se lufta kundër korrupsionit kërkon udhëheqje të fortë qeveritare, koordinim institucional dhe përfshirje aktive të shoqërisë civile. Sipas tij, strategjitë nuk mjaftojnë vetëm në letër, por japin rezultate vetëm kur shoqërohen me mekanizma konkretë zbatimi dhe llogaridhënie.

Duke u bazuar në përvojën e Maqedonisë së Veriut, zëvendëskryeministri nënvizoi rëndësinë e qasjeve të bazuara në të dhëna, digjitalizimit dhe transparencës si mjete kyçe për zvogëlimin e hapësirave për korrupsion dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në institucione.

Zëvendëskryeministri për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai, theksoi se angazhimi i Maqedonisë së Veriut për qeverisje të mirë dhe integritet mbetet i qëndrueshëm , si në nivel vendor ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, duke përcjellë mesazhin se lufta kundër korrupsionit kërkon veprime konkrete dhe pa kompromis.