22 Janar 2026 23:53

Këshilli i BE-së i kërkon RMV-së të ndryshojë kushtetutën

Bruksel – Samiti vjetor BE–Ballkani Perëndimor, i mbajtur sot në Bruksel, ka mbledhur liderët e Bashkimit Evropian dhe krerët e vendeve të rajonit, duke u vlerësuar si një moment kyç për të ardhmen e procesit të zgjerimit të BE-së.

Në fokus të diskutimeve janë Paketa e Zgjerimit 2025 dhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor me vlerë 6 miliardë euro, i cili synon afrimin ekonomik të rajonit me BE-në dhe përshpejtimin e reformave strukturore. Samiti shërben gjithashtu si platformë për mbështetjen politike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me vëmendje të veçantë ndaj bllokadës së Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjes me Bullgarinë.

Ndërkohë, Danimarka, në cilësinë e saj si presidente aktuale e Bashkimit Evropian, ka publikuar sot propozim-konkluzionet e Këshillit të BE-së për zgjerimin. Dokumenti u publikua si “Konkluzionet e Presidencës Daneze për zgjerimin”, pasi nuk arriti të miratohej në mbledhjen e djeshme të Këshillit për Çështje të Përgjithshme për shkak të kundërshtimit të Hungarisë ndaj pjesës që lidhet me Ukrainën.

Në këto konkluzione, Këshilli i BE-së riafirmon se integrimi evropian mbetet një qëllim strategjik i Maqedonisë së Veriut, duke i bërë thirrje Shkupit të intensifikojë përpjekjet reformuese në kuadër të procesit të aderimit. Dokumenti thekson se vendi ende nuk i ka zbatuar ndryshimet kushtetuese, për të cilat ishte angazhuar më herët.

Këshilli konfirmon gatishmërinë për thirrjen e Konferencës së dytë ndërqeveritare, pa vonesa të mëtejshme apo vendime shtesë politike, menjëherë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, si dhe për hapjen e Klasterit 1 të negociatave – “Vlerat Themelore” – sa më shpejt që të jetë e mundur, në përputhje me Kornizën e Negociatave.

Në dokument nënvizohet se nevojiten veprime të shpejta dhe vendimtare për përmbushjen e kritereve të Klasterit 1, me theks të veçantë në shtetin e së drejtës, pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit, si dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu, Këshilli i bën thirrje Maqedonisë së Veriut të miratojë një Kod të ri Penal, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe rekomandimet e raporteve ndërkombëtare.