21 Janar 2026 13:07

Bujar Osmani: Ligji për përfaqësim është bosh

Shkup – Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka vijuar reagimet lidhur me mendimin e Komisionit të Venecias për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, duke publikuar edhe një reagim të zgjeruar në profilin e tij në Facebook.

Osmani thekson se ajo që ai ka paralajmëruar ditët e fundit, tashmë është thënë qartë edhe nga Komisioni i Venecias. Sipas tij, problemi kryesor i propozim-ligjit nuk është parimi i përfaqësimit të drejtë, por fakti se ligji është “bosh”.

Ai citon drejtpërdrejt mendimin e Komisionit të Venecias, ku thuhet se “problemi kryesor i projektligjit është se ai mbetet shumë i përgjithshëm dhe nuk e zgjidh pyetjen se si funksionon në praktikë procesi i punësimit”. Sipas Osmanit, kjo e bën ligjin një dokument me “fjali të bukura, por pa mekanizëm real zbatimi”.

Në reagimin e tij, Osmani ndalet edhe te pretendimi i Qeverisë se përfaqësimi i drejtë rrezikon meritokracinë, duke theksuar se Komisioni i Venecias e hedh poshtë këtë tezë. Përkundrazi, siç shkruan ai, Komisioni dëshmon se përfaqësimi i drejtë dhe meritokracia nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por duhet të balancohen.

“Objektivat e përfaqësimit të drejtë dhe rekrutimit mbi bazë merite nuk janë kundërthënëse dhe duhet të balancohen me kujdes”, citon Osmani nga mendimi i Komisionit, duke shtuar se mekanizmi i mëparshëm i Balancuesit nuk e anashkalonte meritën, pasi kandidatët kalonin nëpër procedura profesionale, ndërsa Balancuesi siguronte vetëm përfshirje institucionale.

Në fund, Osmani thekson se ndoshta elementi më i rëndësishëm i gjithë debatit është se përfaqësimi nuk është çështje emocioni apo etnie, por e funksionalitetit të shtetit. Ai citon sërish Komisionin e Venecias, i cili vlerëson se “pjesëmarrja efektive e komuniteteve është thelbësore për kohezionin shoqëror dhe për një shoqëri vërtet demokratike”.

Sipas Osmanit, kjo temë nuk duhet trajtuar si përplasje politike, por si çështje thelbësore për funksionimin e demokracisë multietnike në vend.