18 Janar 2026 00:42

‘Liria ka emër’! Shkupi sot proteston, drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

Sot, në Shkup, do të jehojë fuqishëm zëri i ndërgjegjes kombëtare në një tubim protestues në solidaritet të plotë me ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me një proces gjyqësor të padrejtë në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ky tubim, i organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, është thirrje mbarëkombëtare për pjesëmarrje qytetare, paqësore dhe dinjitoze, në mbrojtje të së vërtetës historike dhe të nderit të luftës çlirimtare.

Tubimi nis në orën 13:00, në sheshin “Skënderbeu”, simbol i identitetit dhe krenarisë shqiptare, dhe pritet të bashkojë qytetarë nga Shkupi dhe trevat përreth, duke dëshmuar unitetin e pandashëm kombëtar. Protesta ka marrë përkrahje të gjerë nga figura të rëndësishme politike shqiptare në rajon.

Mbështetje të fuqishme për protestën ka shprehur edhe ish zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, tani kryetar i Çaiirit Izet Mexhiti, i cili ka deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës përfaqëson vlerën më të lartë kombëtare, themelin e lirisë dhe dinjitetit të shqiptarëve, dhe se mbrojtja e saj është detyrë historike për çdo shqiptar, kudo që ndodhet.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, u ka bërë thirrje qytetarëve të rreshtohen në këtë protestë, duke theksuar se kërkesa për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së është obligim moral dhe kombëtar. Ai ka nënvizuar se akuzat ndaj tyre janë të motivuara politikisht dhe të ndërtuara mbi narrativa të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia, me synimin për të njollosur luftën e drejtë çlirimtare të popullit shqiptar.

Fatmir Limani, Ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë në një editorial u shpreh së “Nuk ka shqiptar, pavarësisht kampit politik, që ka dyshime mbi legjitimitetin e luftës për çlirim dhe liri të Kosovës.”

Në të njëjtën linjë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar se pas tubimeve në Prishtinë dhe Tiranë, edhe Shkupi po bashkohet në thirrjen për drejtësi, duke apeluar për unitet, maturi dhe protestë paqësore e dinjitoze në mbrojtje të vlerave tona kombëtare.

Ndërkohë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë thirrje për kujdes, duke apeluar që ish-luftëtarët të mos marrin pjesë në tubim, për shkak të rrezikut të mundshëm të ndalimeve nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut. Sipas OVL-UÇK-së, ekziston rreziku i arrestimeve mbi baza të padrejta, të lidhura me lista të Europolit, të përcjella – sipas tyre – nga Serbia.

Ky tubim përfaqëson një akt të qartë uniteti dhe dinjiteti kombëtar, dëshmi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet vlerë e shenjtë kombëtare dhe se e vërteta historike do të mbrohet me zë të lartë, paqësisht dhe me krenari.