Tetë ditë para fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka përkujtuar se nga muaji janar, paga minimale bëhet 425 euro bruto nga 350 euro sa është tash.
Vendimi për rritjen e pagës minimale në fakt është marrë në fund të tetorit, pak para nisjes së fushatës për balotazhin e zgjedhjeve lokale të mbajtura më 9 nëntor 2025. Fushata për balotazhin kishte nisur më 3 nëntor, kurse vendimi për rritjen e pagës ishte marrë më 31 tetor në mbledhjen e Qeverisë në detyrë. Ndërkohë, fushata për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 28 dhjetor, do të nis më 17 dhjetor.
Sidoqoftë, Kurti në postimin e tij ritregoi se nga 1 korriku 2026 fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale bëhet 500 euro, siç edhe e kanë paraparë me vendimin që kanë marrë si Qeveri.
“Rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat do të përfitojnë nga kjo rritje. Pagën minimale e gjetëm 130/170 euro, të pandryshuar për më shumë se një dekadë, dhe brenda një mandati po e rrisim për të tretën herë”- ka shkruar Kurti në Facebook më 09.12.2025./kallxo.com

