Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Sekerinska, theksoi rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për Aleancën, duke nënvizuar se angazhimi i NATO-s në rajon mbetet i palëkundur.
Ajo deklaroi se prania më e qartë e këtij angazhimi është misioni i KFOR-it, i cili vazhdon të jetë misioni më i madh i NATO-s.
Sipas saj, KFOR-i ka mandatin të garantojë paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët në Kosovë, të sigurojë lëvizje të lirë dhe të krijojë kushte të qëndrueshme për proceset politike dhe institucionale. Ajo theksoi se prania e KFOR-it mbështet dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke kontribuar në stabilitetin afatgjatë./ID
Duke iu referuar shtimit të trupave në vitin 2023, Sekerinska sqaroi se rreth 1000 trupa shtesë u dislokuan pas ngjarjeve të atij viti, për të siguruar që KFOR-i të përmbushë plotësisht mandatin e tij dhe të reagojë ndaj rrethanave të sigurisë. Ajo vuri në dukje se ky ka qenë ndër dislokimet më të mëdha të viteve të fundit.
Zëvendëssekretarja gjithashtu theksoi bashkëpunimin e ngushtë të KFOR-it me institucionet e Kosovës, Policinë e Kosovës, misionin EULEX, si edhe koordinimin me forcat e armatosura serbe, me qëllim ruajtjen e stabilitetit dhe parandalimin e incidenteve.
Në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s, pavarësisht se fokusi kryesor ishte mbrojtja, parandalimi dhe mbështetja për Ukrainën, një numër vendesh aleate ngritën rëndësinë e situatës në Ballkanin Perëndimor, duke e konsideruar stabilitetin e rajonit si element të rëndësishëm të sigurisë euroatlantike.
Në përfundim, Sekerinska riafirmoi se ndërsa prania ushtarake e NATO-s garanton siguri në terren, zgjidhjet afatgjata mund të arrihen vetëm përmes dialogut politik ndërmjet palëve.

