Në ditën që i kushtohet një prej kategorive më të ndjeshme të shoqërisë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, doli me një mesazh të fortë dhe sensibilizues, duke kërkuar vëmendje të shtuar institucionale dhe shoqërore për personat me nevoja të veçanta.
Ai theksoi se një shoqëri e zhvilluar matet me mënyrën se si kujdeset për qytetarët më të brishtë.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami :
“Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Nevoja të Veçanta kujtojmë përgjegjësinë tonë, si institucione dhe si shoqëri, që të kujdesemi për këtë kategori të ndjeshme dhe të çmuar të shoqërisë sonë. Komuna e Tetovës dhe Qeveria VLEN do të vazhdojnë që të angazhohen çdo ditë për një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe pa barriera, solidare dhe humane ndaj të gjithë bashkëqytetarëve tanë.”
Kryetari Kasami nënvizoi se Komuna e Tetovës do të intensifikojë politikat dhe projektet që synojnë përmirësimin e qasjes, kushteve të jetesës dhe mbështetjes institucionale për personat me aftësi të kufizuara. Ai theksoi se ky angazhim nuk duhet të jetë vetëm simbolik, por i përditshëm, konkret dhe i matshëm.
Mesazhi i tij erdhi si apel drejt të gjithë shoqërisë që të kontribuojë në ndërtimin e një komuniteti më solid, më njerëzor dhe më përfshirës për të gjithë.
Në Tetovë dhe në nivel qeveritar, sipas Kasamit, nismat për eliminimin e barrierave fizike dhe sociale do të vazhdojnë të jenë prioritet.

