Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka konfirmuar se kongresi i radhës i partisë do të sjellë ndryshime të rëndësishme në organet drejtuese, duke theksuar se rikthimi i Ali Ahmetit në krye të BDI-së mbetet i sigurt.
“Në këtë kongres sigurisht se do të kemi rizgjedhje të zotit Ali Ahmeti për kryetar të partisë. Po ashtu, do të kemi zgjedhje edhe të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, ndërsa zgjedhjet tjera do të burojnë nga organet përkatëse. Nga Këshilli i Përgjithshëm do të zgjidhet kryesia e tij”, u shpreh Ademi.
Ai theksoi se BDI ka një bazë të gjerë personalitetesh me kontribute të mëdha në politikë dhe në proceset kyçe për shqiptarët në vend.
“Në Bashkimin Demokratik për Integrim ka shumë njerëz që kanë lënë gjurmë të rëndësishme, jo vetëm brenda partisë, por në të gjitha proceset”, shtoi Ademi, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimësisë dhe përvojës brenda strukturave partiake.
Deklarata e tij vjen në prag të kongresit, i cili pritet të përcaktojë drejtimin e ri organizativ të BDI-së.

