Kryeministri Hristijan Mickoski ka shprehur mbështetje të plotë për projektin “Qyteti i Sigurt” dhe zgjerimin e tij në gjithë territorin e vendit. Ai theksoi se është i gatshëm të përballet me çdo kritikë politike, nëse sistemi kontribuon në shpëtimin e jetëve njerëzore.
“Disa thonë se ky projekt do të sjellë kritika ndaj qeverisë dhe se do të jetë një goditje politike. Unë jam gati t’i përballoj të gjitha, vetëm e vetëm të shpëtohet qoftë edhe një jetë. Vetëm në javët e fundit kemi pasur tre viktima dhe disa të plagosur për shkak të shpejtësisë së papërshtatshme dhe mosrespektimit të rregullave të trafikut. Në bisedën me ministrin e Brendshëm i thashë se jemi të gatshëm të durojmë çdo kritikë. Shohim ish-deputetë nga ish-mazhoranca e LSDM-së dhe BDI-së që kritikojnë sistemin, por vetë kanë lëvizur me 52, 53 apo 55 kilometra në orë dhe kanë marrë paralajmërime. Edhe me 50.5 do të marrin paralajmërim, sepse rregullat përcaktojnë qartë ç’është shpejtësi e përshtatshme dhe e papërshtatshme. Nëse me këtë arrijmë të shpëtojmë një jetë, unë jam i gatshëm të mbaj të gjithë përgjegjësinë politike,” deklaroi Mickoski.
Sipas tij, shumica e shkeljeve të evidentuara ditën e kaluar kanë të bëjnë me tejkalim të shpejtësisë, kalim me semafor të kuq dhe një numër të madh automjetesh të paregjistruara.
Nga ana tjetër, LSDM-ja ka reaguar ashpër, duke e interpretuar këtë si tregues të rënies së standardit të jetesës nën udhëheqjen e Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së. Opozita thekson se vetëm në 12 orët e para pas vendosjes së kamerave, në Shkup janë evidentuar mbi 1.000 automjete të paregjistruara, çka sipas tyre tregon se qytetarët nuk kanë të ardhura të mjaftueshme as për të kryer regjistrimin e mjeteve të tyre.
“Nëse kjo është gjendja në kryeqytet, si mund të jetë situata në qytetet dhe vendbanimet më të vogla? Ekonomia po bie dhe qytetarët mezi po mbijetojnë,” deklaroi LSDM-ja.
Opozita e akuzon kryeministrin se realitetin e vështirë të qytetarëve e sheh vetëm përmes kamerave dhe nga pas gardhit të rikthyer para ndërtesës së Qeverisë.
“Është mirë që qeveria instaloi kamerat, sepse tani Mickoski mund t’i shohë nga zyra e tij kushtet katastrofike në të cilat jetojnë qytetarët. I distancuar nga populli, ai tashmë e percepton realitetin vetëm përmes kamerave. Ndërkohë, qeveria ushqehet me papaja e mango, lëviz me makina të klasit biznes dhe shpërndan tendera shumë-milionësh, ndërsa qytetarët nuk kanë para as për të regjistruar automjetet e tyre. Këtë standard ua solli ‘tigri ekonomik’ i Mickoskit,” theksojnë nga LSDM-ja.
Ata rikujtojnë se pas rënies së regjimit të Gruevskit, gardhi para Qeverisë ishte hequr për t’u garantuar qytetarëve qasje e hapur në institucion. “Por studenti i Gruevskit e riktheu gardhin, duke treguar se sa të ngjashëm janë. Është e njëjta bandë. Puna nuk ka përfunduar ende,” përfundon reagimi i LSDM-së.

