18 Janar 2026 00:19

Arrestohet Federica Mogherini për mashtrim e korrupsion

Ish përfaqësuesja e BE Federica Mogherini është ndaluar nga forcat e rendit të Belgjikës, në kuadër të disa hetimeve të kryera nga Prokuroria Evropiane në Bruksel mbi një mashtrim të dyshuar që lidhet me programet e trajnimit të financuara nga BE për diplomatët e rinj.

Në kuadër të hetimit, sot janë kryer kontrolle në selinë e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) në Bruksel dhe në disa ndërtesa të Kolegjit të Europës në Bruges. Thuhet se tre persona janë ndaluar, mes tyre edhe Mogherini, rektore e Kolegjit të Europës, ish-Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe ish-ministre e Jashtme në qeverinë Renzi.

Bastisjet, të kryera me kërkesë të Prokurorisë Evropiane (EPPO) dhe të miratuara nga gjykatësi hetues dhe Policia Federale belge, u zhvilluan pranë SEAE në Bruksel, në ndërtesat e Kolegjit të Evropës në Bruges dhe në banesa private.

Hetimet lidhen me Akademinë Diplomatike të Bashkimit Evropian, një program formimi për diplomatët e rinj në vendet e BE-së.

Në total janë ndaluar tre persona e mes tyre edhe Mogherini. Hetimi lidhet me dyshime për favorizim dhe konkurrencë të padrejtë në dhënien nga shërbimi diplomatik i BE-së Kolegjit të Evropës të një programi trajnimi nëntëmujor të destinuar për diplomatët e ardhshëm evropianë, Akademinë Diplomatike të Bashkimit Evropian.

Faktet e kontestuara i përkasin periudhës 2021-2022 dhe veprat e dyshuara janë mashtrim në dhënien e kontratave publike, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje e sekretit profesional.